Berisha: Humba zgjedhjet e vitit 1997, por u riktheva me rininë
Luis Tanushi

Kryeministri Berisha ka sulmuar dje liderin e PS-së duke e akuzuar se për dy vite ka bllokuar vendin duke arritur kulmin me protestën e 21 janarit 2011, por për këto veprime është ndëshkuar me votë. Duke bërë një paralelizëm me situatën e tanishme, Berisha tha se dy vite më pas Rama hoqi dorë nga strategjia e tij dhe sot opozita është në parlament duke marrë pjesë në reformat që kërkon vendi.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009 lideri i opozitës ditën pas zgjedhjeve mbajti qëndrimin: kjo është një ditë historike për Shqipërinë. Por fatkeqësisht rezultatet për të nuk ishin dhe aq historike. Kështu kur nuk mori atë çfarë priste ai mbajti qëndrimin: “nuk do ti njoh rezultatet”. Rivali shkoi në Gjykatë, Gjykata i tha jo, ai nuk mund ti rinumëronte votat, sepse nuk kishte mosmarrëveshje. Megjithatë i ofrova gjithçka, përveç numërimit të votave,- tha dje Berisha gjatë një takimi me të rinjtë.
Duke kujtuar protestën e 21 janarit të vitit të shkruar, kryeministri tha se ishin vetëm një mijë protestues ose pak më shumë dhe Rama u përpoq të kryente akte dhune, por për këtë gjë u ndëshkua në zgjedhje ku humbi Tiranën. Ai arriti të ngrinte rreth 1000 protestues ose më shumë, ai gjithashtu u përpoq të kryente akte dhune duke menduar se do të kishte një fjalim nga zyra ime, gjë që nuk do të ndodhte kurrë. Ju them se fitoret janë duele, të vogla ose të mëdha ato janë duele. Por tani jeta jonë është normale. Janë në Parlament. Ju them se jam i kënaqur që pranuan atë çfarë unë u kam ofruar përgjatë dy viteve të kaluara,- tha Berisha.
Duke kaluar në kohë, kryeministri u ndal në fillimet e demokracisë në vitin 1990 dhe më pas tek ngjajet e vitit 1997 dhe kalimi i tij në opozitë. Ai tha se në fillim të viteve 90 forca e Shqipërisë ishte rinia, e cila votoi PD-në më 22 mars të vitit 1992. Unë i humba zgjedhjet në vitin 1997, por me rininë erdha në pushtet,- tha Berisha duke kujtuar Komitetin e Orientimit të Politikave të krijuar nga PD në vitin 2005, një strukturë e cila u vlerësua si vendimtare për rikthimin e tij në pushtet.
Kur u bëra president i vendit, njohuritë tona në ekonominë e tregut dhe standardet demokratike ishin minimale, por skuadra ime me njerëz të rinj, studioi, komunikoi dhe arritën, ata kurrë nuk hezituan për të punuar për reformat më të thella,- tha Berisha duke u kthyer sërish në fillim të viteve 1990.
Në këtë takim kryeministri vlerësoi arritjet e mazhorancës në fushën e arsimit, sidomos në shtimin e numrit të studentëve përmes universiteteve private. Sipas Berishës, sot Shqipëria ka kaluar vendet e BE-së në fushën e arsimit. Menjëherë pas kësaj erdhi reagimi i kreut të PS-së, Rama, i cili tha se universitetet janë të mbingarkuara dhe se cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar. Sipas tij, programi i PS-së do të bëjë që universitetet shqiptare të rilindin.