E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Aleancën KuqeZi po e sulmon Aleanca e PD-së me Athinën

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka akuzuar mazhorancën se po ngre komision hetimor ndaj tij për të kënaqur Athinën zyrtare siç ka bërë me paktin detar, censusin, ndryshimin e kombësisë etj. Duke folur në një takim të Aleancës Rinore KuqeZi në Tiranë, Spahiu ka prezantuar edhe nismat kryesore të muajve që do të pasojnë. Një prej këtyre nismave është edhe prezantimi i “Kontratës KuqeZi” në çdo shtëpi të shqiptarëve me synimin për të mbledhur një milionë anëtarë.

Nën vargjet e të madhit Ali Asllani përjetova amanetin e Athinës zyrtare të ekzekutuar nga servilët në Kuvendin e Shqipërisë. Vota për shkarkimin tim nxori në pah aleancën e PD me Vangjel Dulen një aleancë nën ngjyrat bardh e blu të flamurit grek dhe që po e detyrojnë kryeministrin Berisha të japë provën e radhës ndaj Greqisë. Ata mund ti bashkojnë votat, por nuk mund të përçajnë kurrë dot shqiptarët. Tre herë e krijuan këtë aleancë me njerëzit e Athinës. 73 vota në aleancë me Athinën për të shitur territore në kufirin ujor me Greqinë, 73 vota në Aleancë me Athinën për të ndryshuar identitetin në ligjin për kombësinë dhe censusin ogurzi, 73 vota në aleancë me Athinën për të pushtuar institucionet e pavarura,- tha Spahiu. Sipas tij, këto 73 vota nuk mund të poshtërojnë dinjitetin, pavarësinë dhe personalitetin njerëzor të çdo shqiptari.

Aleanca Kuq e Zi ka dy gurë themeli mbi të cilat do ta bëjë Shqipërinë: Demokracinë dhe kombin. Pa demokraci nacionalizmi është kërcënim. Pa nacionalizëm demokracia është dështim. Për Aleancën Kuq e Zi demokracia dhe kombi, dinjiteti njerëzor dhe identiteti kombëtar, bashkimi i shqiptarëve dhe evropianizimi janë të pandashme. Makineria e ndryshkur e politikës shqiptare dhe lidershipi i krokodilit nuk mund të sfidojnë Aleancën Kuq e Zi, të cilën nuk e sfiduan dot perandorët, sulltanët, carët, krajlët e vorioepiriotët. Aleanca Kuq e Zi qëndron mes Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, at Fishtës e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit e Hasan Prishtinës, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit si një urë mes brezash që u flijuan për liri dhe komb. Këto janë ikonat tona përball të cilave përulet dhe betohet Aleanca Kuq e Zi,- tha dje Spahiu.

Çfarë është kontrata KuqeZi

Kontratata KuqeZi është një nismë e Aleancës Kuq e Zi, e cila synon që të mbledhë firmat e një milionë shqiptarëve nga e gjithë Shqipëria, por edhe vendet fqinje. E konceptuar si një lëvizje popullore, ajo do të realizohet përmes takimeve shtëpi më shtëpi me shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe më gjerë. Kontrata KuqeZi është dokumenti i AK ku janë pasqyruar prioritet kryesore të programit të Aleancës Kuq e Zi, prej të cilës rrjedhin dhe objektivat që do të përmbushen nga kjo lëvizje popullore,- thanë dje përfaqësuesit e AK të mbledhur në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›