Qato: Strategjia e PS për çështjen e pronave
Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë se ka dështuar në zgjidhjen e problemit të tokës duke mos kthyer apo kompensuar pronarët legjitimë. Kryetarja e Grupit të Punës për Programin e Partisë Socialiste, Merita Qato, deklaroi se PS në rast fitoreje do të rrisë kompetencat e Agjensisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. Sipas saj, gjatë katër viteve të qeverisjes, do të ndërpriten privatizimet në tregun e lirë me qëllim që këto objekte, të vihen në shërbim të ish pronarëve. Një tjetër masë në programin e punës për zgjidhjen e problemit të pronës, Merita Qato sqaron se do të riformatohet harta e vlerës së tokës me qëllim kompensimin e drejtë të ish pronarëve.
Zonja Qato, ju jeni kryetare e grupit të punës për programin për çështjen e pronave. Çfarë mund të themi deri tani për reformat që janë bërë nga qeveria shqiptare në këtë drejtim dhe çfarë impakti ka në plotësimin e të drejtave dhe të kërkesave të qytetarëve shqiptarë?
Çështja e pronësisë është një nga shqetësimet më të mëdha, jo vetëm për ne, por edhe për opinionin për arsye se është një nga të drejtat themelore e përcaktuar në Kushtetutë. Por çfarë mund të themi për prioritet që ka vendosur qeveria?.Mund të thermi që është nja nga strategjitë dhe reformat e dështuara Ky konstatim nuk është vërejtur vetëm nga ne, por është një opinion edhe i organizatave ndërkombëtare. Mund të përmendim rekomandimin e fundit të Komisionit Europian ku një nga problemet ishte edhe çështja e pronësisë. Përsa i përket çështjes së pronësisë në progres-raport, është vendosur që çështja e pronave është një nga problemet më shqetësuese dhe mund të themi që ka pak përparime. Mund të themi që është një nga reformat ku qeveria ka dështuar vërtet. Pavarësisht se qeveria thotë se shkaku i mosplotësimit të rekomandimeve është opozita , ne mund të themi që në çështjet e pronësisë është faji i qeverisë. Nuk ka asnjë ligj në parlament për tu votuar apo ndonjë ligj me 2/3 apo 3/5 për tu miratuar në parlament dhe nuk është votuar nga opozita. Ne mund të themi se nuk është vendosur asnjë kusht dhe nuk ka pasur asnjë pengesë përsa i përket çështjes së reformës, sidomos të reformës në tërësi dhe reformës në procesin e kthimit dhe të kompensimit të pronave që është një proces shumë i diskutueshëm. Prandaj ne themi që në përgjithësi reforma për pronat është një dështim total i qeverisë dhe jo një shkak apo një pengesë nga opozita për zbatimin e saj.
Cilat janë aspektet e jetës problematika e pronës ka prekur shoqërinë tonë?
Çështjen e pronësisë ne e shikojmë kryesisht në katër aspekte kryesore. Në aspektin ekonomik, juridik, social dhe financiar. Mund të themi që mirëfunksionimi i një zhvillimi ekonomik, lidhet me mirëfunksionim e tregut të tokës, por që të kemi treg toke, duhet të kemi në radhë të parë parimin e sigurisë. Pra, që pronarët të jenë të sigurt në të drejtën e tyre të pronësisë, gjë të cilën nuk e kemi dhe akoma nuk shikohet që të kemi një siguri përsa i përket kësaj të drejte. Kjo bën që të kemi një pengesë të investitorëve të huaj apo venda. Ky nuk është një konstatim vetëm i joni, por edhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare si Banka Botërore ku thuhet që procesi i së drejtës së pronësisë është një proces problematik që pengon zhvillimin e investimeve dhe që investitorët e huaj të vijnë në vendin tonë. Përveç këtyre, ne themi jo vetëm investitorët e huaj , por është një pengesë edhe për vete qytetarët shqiptarë sepse duke mos pasur sigurinë e pronës, është një pengesë përsa i përket kredive gjë e cila ndikon drejtpërsëdrejti në ekonominë e vendit. Në aspektin juridik kemi shumë probleme sepse janë shumë ligje që krijojnë mbivendosje, janë institucione që nuk i zbatojnë ashtu siç duhet këto ligje, janë institucione që nuk mirëkuptohen me njëra tjetrën . Duhet të dimë që moszbatimi i këtyre ligjeve sjell peshë për qytetarët, dhe jo mbi institucionet. Ne kemi edhe rastin flagrant që në shumë vendime gjykate ku qytetarët kanë fituar të drejtën e tyre të pronësisë nuk zbatohen. Rast flagrant kemi në Vlorë ku një nënpunëse e administratës nuk pranon që të zbatojë një vend gjykate. Në këtë rast pronarët me të drejta e tyre të plota nuk arrijnë që të gëzojnë të drejta e tyre të plota, duke kaluar edhe në një aspekt tjetër duke u përleshur me forcat e policisë. Po të shikojmë në aspektin social, konfliktet e pronësisë gjithmonë kasë sjellë konflikte sociale. Është çështja Konomi që është një ngjarje e bujshme ku gjyqtari u vra në mes të qytetit për çështjen e pronësisë. Mund të përmendim një çikë më larg vrasjet në dyert e gjykatës së Lezhës. Në gjykatat e rretheve 80 përqind e çështjeve janë çështje pronësie. Në aspektin financiar mund të themi që qeveria mbart një faturë përsa i përket procesit të kthimit dhe të kompensimit të pronave. Gjykata e Strasburgut e ka dënuar qeverinë shqiptare me një faturë të konsiderueshme për moszbatimin e vendimeve gjyqësore lidhur me çështjet e pronësisë. Në këto vendime është përcaktuar se shteti duhet të gjejë rrugë dhe mënyra të ndryshme të kompensimit të ish pronarëve dhe duhet që qeveria të zbatojë vendime të cilat janë të formës së prerë.
Agjensia e Kthimit dhe e Kompensimit të pronave është institucioni që merret me pronën. Sa e vlefshme është kjo agjensi e cila në dhjetor u ndesh me probleme?
Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces i dështuar sepse kemi gati 7 mijë dosje pa marrë përgjigje. Nuk kemi një faturë të qartë ekonomike se sa është detyrimi i qeverisë, nuk kemi evidencë për numrin e kërkesave apo të vendimeve të dhëna. Ne mund të themi i dështuar duke e parë në lidhje me pronarët. Kemi 20 vjet që këta mbetën ish pronarë. Ne në programin tonë kemi përcaktuar se nuk do të ketë më term ish pronarë, por do të jenë pronarë sepse ata i kanë të gjitha të drejtat dhe tagrat për të gëzuar të drejtën e pronësisë. Kësaj kategorie i janë shkaktuar dëme ekonomike për shkak të vendimeve të padrejta , të paplota , konflikteve. Aq më tepër se jemi para një fakti si çështja e Spillesë ku mendohet se kemi të bëjmë me korrupsion. Fenomeni duhet goditur. Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka qenë disa herë i akuzuar nga prokuroria për korrupsion. Qeveria nuk ka një faturë dhe nuk ka thënë se sa është kompensimi financiar.
Cila është strategjia e PS për zgjidhjen e problemit?
Në përgjithësi PS ka vendosur që të bëjë një strategji të përgjithshme për reformën mbi pronën. Mund të themi se reforma mbi pronën nuk është vetëm Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës. Po ta shikojmë vetëm në kthimin dhe kompensimin e pronës, PS në planin e veprimit kombëtar ka vendosur që të riformatizojë dhe fuqizojë më shumë Agjensinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. Të përfundojë brenda një afati të shkurtët kërkesat e ish pronarëve, të përfundojë evidentimi i pronave shtetërore me qëllim që tu vihen në dispozicion këtyre komisioneve me qëllim kompensimin. Do të hartojë akte ligjore dhe nën ligjore në favor të procesit. Do të ndërpresë privatizimin në tregun e lirë me qëllim që këto objekte që do privatizohen të vihen në shërbim të ish pronarëve,do të riformatojë hartën e vlerës së tokës.