E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha takim me te rinj nga Ballkani

Kryeministri, Sali Berisha duke folur në Forumin Rinor Demokratik të Ballkanit vecoi faktin se edhe pse është më i vjetër në moshë i ka mbështetur të rinjtë më shumë se kreu i opozitës, Edi Rama. Madje në një përballje të tillë, kreu i mazhorancës ka dhe mbështetjen e tyre krahasuar me kundërshtarin e tij politik.
“Kam kënaqësinë që ju shikoj të gjithëve së bashku në Tiranë dhe dua t'ju siguroj se nëse shikoni në hartën e Evropës, do të shikoni një lider që është shumë i përkushtuar ndaj të rinjve, ai është Sali Berisha. Kam një lidhje të veçantë më të rinjtë. Nëse unë vazhdoj të jem në politikë nga vitit 1990 e deri tani kjo është vetëm falë rinisë”, vuri në dukje shefi i qeverisë.
Duke folur në këtë Forum, Berisha u tha të rinjve se gjithmonë ka luftuar për atë që ka besuar, pasi liria është dinjitet.
“Mund të jeni të pasur, të varfër, mund të jeni të edukuar por liria është dinjitet. Ne e kishim humbur atë gjatë diktaturës.”- theksoi Kryeministri.
Në fjalën e tij mbajtur në këtë forum, kryeministri Berisha i konsideroi të rinjtë si një pjesë e rëndësishme e vendit dhe si ndihma themelore në të ardhmen në politikë. Duke theksuar se në kohën e dikaturës Shqipëria ishte vendi më i izoluar, Berisha tha se të rinjtë e universiteteve të Tiranës mendonin ndryshe nga diktatura e ashpër e asaj kohe dhe vetë ai, asokohe një mjek, zgjodhi të ishte në krah të tyre.
Duke iu referuar kësaj mardhënie me rininë, shefi i qeverisë shqiptare citoi edhe një gazetar të “The Economist”, i cili kishte bërë këtë analizë sa i përket suksesit të mazhorancës në zgjedhjet e vitit 2009.
“Do citoj një gazetar të “The Ekonomist” i cili shkruajti për zgjedhjet e 2009-ës, ku tha se rivali i zotit Berisha është 20 vite me i ri sesa Berisha, por fakti është se Berisha ka 17 përqind më shumë mbështetje nga të rinjtë se sa Rama”, u shpreh Berisha.
E ndërsa të rinjtë në vitet ‘90 u përballën me tanket, kryeministri Berisha akuzoi si pengesën e radhës për shqiptarët drejt integrimit, qëndrimin bllokues që mban opozita.
Sëfundi kreu i ekzekutivit shqiptar vuri në dukje se jeta parlamentare po shkon drejt normalitetit dhe se po vijohet me reformat, me shpresën se sa më parë vendi do të marrë statusin e vendit kandidat. Kryeministri Berisha u shpreh se prioritetet e qeverisë për të zhvilluar vendin janë sektori i energjisë dhe infrastruktura. Sipas tij, në kuadër të integrimit evropian prioritetet politike janë të rëndësishme, por gjithashtu e rëndësishme është edhe arritja e standardeve të duhura në edukim, shëndetësi, infrastrukturë, të ardhura, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›