Berisha: I kam mbushur burgjet me të korruptuar
Në një konferencë të organizuar nga Banka Botërore për qeverisjen në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalim të gjatë se si ka luftuar korrupsionin në vend. Fjalimi i gjatë dhe i lodhshëm është kthyer në bezdi për të pranishmit, por kryeministri nuk e ka këtë problem. I tillë u shfaq edhe dje në një ekspozitë të organizuar nga ambasada amerikane. Ndërsa të gjithë flasin pak minuta, kryeministri nuk ndalet pa kaluar më së paku gjysëm ore.
E duke folur për korrupsionin, Berisha u mburr para të pranishmëve se popullata në burgje është dyfishuar falë luftës që është bërë kundër tij. Kryeministri Sali Berisha përsëriti se korrupsioni është në genin e njeriut dhe se lufta ndaj tij duhet nisur nga vetja.
Qeveria është angazhuar në luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Korrupsioni është mater matriks i të gjitha të këqijave në një shoqëri. Askush nuk mund të jetë imun ndaj tij, ndaj luftën duhet ta fillojmë nga vetja jonë. Njeriu ka babëzi, ka lakmi të lindur, por çdo njeri që do të luftojë korrupsionin do mund të ketë sukses nëse luftën ndaj tij e nis nga vetja, tha Berisha.