Berisha: Të miratojmë rezolutë për integrimin. Ruçi: Ua kemi sjellë rezolutën që në dhjetor
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në seancën plenare se pas vizitës së dy ministrave të Jashtëm, atij të Greqisë dhe Italisë, opozita dhe mazhoranca duhet të miratojnë një rezolutë për integrimin.
Miqtë tanë kërkuan që të mos bllokohej procesi i integrimit. Erdhën në një kohë kur forcat politike kanë deklaruar se do i përkushtohen integrimit. Erdhën në kohë kritike, në çastet më të fundit që ky proces të mund të ndihmohet. Unë jam këtu për ti bërë thirrje opozitës që të hartojmë së bashku një rezolutë, në të cilën të shprehim zotimet tona dhe axhendën tonë për procesin e integrimit. Pavarësisht nga skepticizmi, besoj se qëndrimet e veta opozita nuk i përcakton për hir të qeverisë. Opozita qëndrimet e veta duhet ti bazojë në programin e saj si forcë politike. Qëndrimet e veta duhet ti bazojë edhe në funksion të realizimit të qëllimeve të saj dhe kjo është normale. Tani është momenti që të faktojmë se deklaratat tuaja se do votojmë të gjitha problemet që lidhen me integrimin janë të vërteta e reale, apo janë një bllof i radhës, me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të blihet kohë, tha Berisha.
Ju garantoj se do keni respektin më të plotë nga kjo mazhorancë. Ky respekt do bazohet tek ligjet dhe Kushtetuta e këtij vendi, e jo në pazar e në kushte. Ju siguroj se sa të jeni në qeveri kurrë nuk do keni kushte nga kjo qeveri. Përpjekjet për të vendosur kushte ndaj saj janë atavizma, të cilat janë faktuar si të pasuksesshme. Ligjin për Gjykatën Administrative e shtymë, edhe pse e keni miratuar në komisione me vota të plota. Na takon ne të bëjmë një gjest mirënjohje për aktin e ministrave. Të dy përfaqësitë e grupeve të ulen, të hartojnë një rezolutë për integrimin, të çojnë një mesazh drejt Brukselit. Javën që vjen sillni kandidaturën për Avokatin e Popullit. I qëndroj ofertës që ai të propozohet nga opozita pa kandidat alternativ nga mazhoranca. Mos u bëni idhnakë, vijoi më tej kryeministri.
Berishës i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi. Ai tha se opozita e ka dorëzuar rezolutën. Sipas tij, problemi nuk është tek një rezolutë e tek zgjedhja e Avokatit të Popullit.
Nëse i ke seriozisht ato që the, nuk duhej të kishe ndërhyrë në këtë moment. Në radhë të parë duhet të tërhiqesh nga uzurpimi që i ke bërë fjalës së lirë, votës së lirë, pavarësisë së institucionit të parlamentit. Opozita u ka dhënë përgjigje atyre që thonë ju. Lideri i opozitës u ka dhënë përgjigje një për një. Nuk erdhën miqtë në Tiranë për Avokatin e Popullit. Erdhën për probleme më thelbësore. Ju e keni rezolutën e opozitës që nga data 23 dhjetor në këtë parlament. Është bërë ai debat për 12 rekomandimet. Opozita e ka ofruar rezolutën, ja ku na keni neve. Le ti fillojmë rekomandimet nga vota e lirë, nga ndryshimi i rregullores së parlamentit. Do u depozitojmë kthimin e rregullores në binarët e atij konsensusi për të kthyer vërtet parlamentarizmin.
Nuk është garniturë e pushtetit opozita. Ajo është këtu për të siguruar standardet demokratike, në mënyrë që vendi ta meritojë statusin e vendit kandidat, tha Ruçi.