Kreu i vëzhguesve të ODIHR: Zgjedhjet bëjini për popullin
Raporti i tij është cilësuar si objektiv dhe me nota të forta kritike. Xhonatan Stonstrit, amerikani që kryesoi vëzhguesit e ODIHR në zgjedhjet lokale, ka mbërritur në vendin tonë për disa takime.
Gjatë një konference për shtyp, ai ka deklaruar se zgjedhjet duhet të bëhen për popullin.
Është me rëndësi që zgjedhjet të bëhen për popullin, në mënyrë që ata kenë të zgjedhurit e tyre dhe kjo është më e rëndësishme sesa beteja e forcave politike dhe për këtë nevojitet edhe vullneti i forcave politike, tha Stonstrit.
Ai u shpreh se ODIHR është gati që të ndihmojë për reformën zgjedhore. Kreu i vëzhguesve iu përgjigj edhe pyetjes që ka qarkulluar shumë së fundmi se përse nuk u shpreh direkt ODIHR për plotësimin e standardeve. Ai tha: Ne nuk kemi arritur në një përfundim total u arritën apo jo standardet, por ky është proces dhe duhet që raporti të lexohet si një i tërë dhe të përcaktohen nga ju fushat ku duhet të ndërhyni.