Naço: Miniera e Bulqizës, kushte jo ligjore

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço në interpelancën e kërkuar nga deputetët e Partisë Socialiste, gjatë fjalës së tij në Parlament, deklaroi se në bazë të kontrollit të realizuar nga METE, në minierën e Bulqizës, u konstatuan shkelje. “Në lidhje me Minierën e Bulqizës, grupi konstatoi shkelje për të cilat u vendos pezullimi i punimeve në zonën D”, u shpreh Naço, për të shtuar se një nga arsyet e rëndësishme për pezullimin e aktivitetit në këtë zonë, ishte fakti se ACR-ja ka lidhur kontrata të tjera pa miratimin e METE.
Duke u ndalur tek greva e minatorëve, ministri Naço deklaroi se METE ka kërkuar ndërprerjen e grevës sepse vihej në rrezik jeta e minatorëve, por sipas tij dhe pse i është bërë i qartë ky detyrim ligjor, drejtuesit e grevës e kanë kundërshtuar këtë.
Po ashtu ministri theksoi se marrëveshja me ACR është me kohëzgjatje 30-vjet dhe është nënshkruar në vitin 2001, e më pas miratuar në parlament. Kjo kompani në 2007 i ka shitur aksionet kompanisë ACR dhe nga blerja e këtyre aksioneve, blerësi ka mbartur të drejtat e detyrimet. Ministri theksoi se investimet nga ACR në minierën e Bulqizës, janë 30 ml euro, ose 14% të totalit të investimeve dhe aty punojnë 92 punonjës.
Ndër të tjera në fjalën e tij, ministri Naço duke iu drejtuar deputetëve të opozitës deklaroi se ata mund të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar dhe hetimin për koncensionet në Shqipëri. “Besoj se nuk jeni të bindur. Nëse jeni të bindur për atë që kërkoni, kërkoni ngritjen e një komisioni parlamentar, nëse nuk e bëni do e marrë me sportivitet dhe nuk do e vlerësoj seriozisht”, u shpreh Naço.
Ndërsa deputeti Tahiri ka marrë menjëherë fjalën dhe theksoi se e vlerëson të domosdoshme dhënien e një përgjigje për minatorët e Bulqizës. “Në Bulqizë po konsumohet një Gërdec pa zhurmë. Nëse doni të kaloni si njeriu që edhe kur shpërthen Gërdeci i Bulziës ju jeni në karrige, është çështja juaj. Në të kundërt kjo është çështja juaj”, u shpreh Tahiri.