E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ia dolëm me fushatën më të bukur

 Në këtë takim, kryeministri Berisha theksoi mes të tjerave, se mbështetja e të gjithë atyre që më 28 qershor votuan Aleancën e Ndryshimit, ka njё rëndësi të jashtëzakonshme. "Ne ia dolëm tё kemi fushatën elektorale më të bukur që nga themelimi ynë deri më sot. Por edhe komisionerët tanë e të forcave të tjera politike ia dolën t’i japin vendit procesin me integritetin më të lartë për herë të parë në historinë e zgjedhjeve", tha Berisha, sipas të cilit, "në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve numërohen 30 ankesa nga të dyja koalicionet dhe forca të tjera politike, nga 300 ankesa në zgjedhjet e vitit 2007 dhe mbi 400 tё vitit 2005".

Duke u ndalur në fitoren e arritur, kryeministri Sali Berisha tha se "Mandati që ne nisim është mandati i mundësive më të mëdha në tërë historinë e vendit, është mandati, në të cilin ne do të shndërrojmë në realitet ambiciet tona më të mëdha pozitive, është mandati, në të cilin ne do t’ia dalim ta ndryshojmë tërësisht këtë vend nga Konispoli në Vermosh, është mandat, në të cilin ne do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë industriale, Shqipërinë turistike, Shqipërinë moderne, është mandati, në të cilin, pas katër vitesh, Shqipëria e prapambetjes shekullore do te jetë thjesht një kujtesë jo e afërt në memorien tonë".

Më tej, Berisha renditi punën e bërë në 4 vitet e shkuara, ku u desh të përballeshin me bandat më të egra në Evropë, të shembnim sistemin e kleptokracisë, me një sistem arsimor dhe shëndetësor në degradim të vërtetë, me një infrastrukturë thuajse të rrënuar, me mungesa të madhe projektesh. "Ndërsa sot, ne nisim këtë mandat si një vend anëtar i NATO-s. Ne e nisim këtë mandat, pasi jemi bërë të famshëm në Evropë dhe më gjerë për klimën e biznesit. Ne e nisim këtë mandat, pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe mbarë botës se nuk ka projekt që ne nuk mund ta zbatojmë në këtë vend, në interesin publik të shqiptarëve", tha Kryeministri Berisha.
    
Duke vlerësuar se qeveria ndërtoi korridorin e kombit me një shpejtësi të paparë vetëm në dy vjet, (korridori Rrëshen-Kalimash filloi nga puna në shkurt tё vitit 2007 dhe përfundoi në mesin e vitit 2009), vepër që vetëm në segmentin e saj Rrëshen- Kalimash tejkalon mbi dy herë e gjysmë të gjithë kaskadën e Drinit, Kryeministri Berisha tha se "vijmë në pushtet më të fuqishëm, më të kthjellet dhe më të vendosur se kurrë për t’ia ndryshuar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, faqen këtij vendi".
    
Duke u ndalur tek rrethi i Durrësit, Berisha vlerësoi potencialet më të mëdha zhvillimore të tij, duke veçuar turizimin.  "Një javë më parë, në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës ne firmosëm për katër resortet turistike në Gjirin e Lalzit, ndërkohë i pesti, që është edhe projekti më i madh i të gjithë këtyre të katërve që kemi firmosur, do të jetë dhe i pari që fillon nga puna. Vetëm në një segment të shkurtër të detit nga Shёn Pjetri do të investohen miliarda euro, do të ndërtohen resortet më të bukura turistike".
   
Lidhur me zhvillimin ekonomik të rrethit të Durrësit, Berisha përmendi si një rëndësi të jashtëzakonshme, parkun industrial.  "Pozicioni gjeografik, vendosja e atij rajoni midis portit, aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, hekurudha, autostrada që po ndërtojmë, të gjithë këto e bëjnë parkun industrial të Durrësit ndoshta një nga më të lakmueshmit në Evropë", tha kryeministri. Më tej u ndal dhe tek parku energjetik, ku Berisha garantoi qytetarët e Durrësit se "qeveria ime është e vendosur t’i përmbahet me seriozitetin më maksimal standardeve evropiane të mjedisit".

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›