E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Industria e ndertimit promotor i zhvillimit ne Shqiperi

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot, në ceremoninë e përurimit të qendrës One Stop Shop për materialet e ndërtimit, në rrugën Sukth - Durrës, investim i kompanisë greke SIDERAL, pjesa e grupit SIDENOR.

SIDERAL është një qendër "One Stop Shop" e cila ofron produkte cilësore ndërtimi me standarde të larta shërbimi për klientët, duke respektuar mjedisin. Ky investim synon të plotësojë e paraprije nevojat e tregut te sektorit te ndërtimit në Shqipëri për produkte me cilësi maksimale te prodhuara në vend.

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim si një mbështetje të fuqishme për ndërtimtarinë në tërësi, në Shqipëri por edhe ne rajon.
Kryeministri theksoi se industria e ndërtimit dhe ndërtimi në tërësi janë dhe do të mbeten se paku dhe për dy dekada promotori kryesor i zhvillimit të Shqipërisë. Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi faktin se kjo kompani prestigjoze me një reputacion rajonal, evropian dhe botëror sjell për ndërtuesit shqiptarë materiale ndërtimi të cilësisë më të lartë dhe të llojeve nga më të ndryshmet.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha shprehu një mirënjohje të veçantë drejtuesit e kompanive Viohal Co dhe të grupit Sidenor për besimin e madh që kanë treguar tek Shqipëria, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që ata kanë vendosur me partnerët shqiptarë, duke konsoliduar më tej traditën e shkëlqyer të investimeve greke në Shqipëri. “Investimet greke janë ndër më kryesoret në Shqipëri, ato janë shndërruar në elementë dhe faktorë thelbësorë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për mbrojtjen, garantimin dhe nxitjen e zgjerimit të biznesit të kësaj kompanie në Shqipëri, si dhe të të gjitha investimeve të tjera greke në vendin tonë. “Do të bëjmë gjithçka që investimet tuaja të jenë një histori e vërtetë suksesi për ju dhe vendin tim.” u shpreh kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›