E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Infrastruktura moderne, prioritet i qeverisë

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se Shqipëria me infrastrukturën më modern mbetet prioritet i qeverisë shqiptare.

Kryeministri Berisha informoi edhe njëherë deputetët për inaugurimin e fillimit të trasesë së rrugës Tiranë-Elbasan. "Shqipëria me infrastrukturë moderne, është premtimi ynë, është beteja jonë dhe kam kënaqësi që vij këtu pas inaugurimit të punimeve të autostradës, që shkurton në 31 km distancën mes dy qyteteve", theksoi Berisha.

Sipas kryeministrit, janë të paktën 1300 km rrugë që janë në ndërtim e sipër në akset kombëtare, në rrugë rurale dhe të qyteteve. Kryeministri theksoi se "rëndësi kapitale për qytetarët ka ndërtimi i infrastrukturës moderne që ata meritojnë, ndërtimi i rrugëve, shkollave, ujësjellësve, kanaleve vaditëse, qendrave shëndetësore, akseve të mëdha rrugore".

Sic tha ai, "fondi total i ofruar për procedurat e realizuara gjatë vitit 2011 ishte 51 miliardë lekë, nga 28.7 miliardë që ishte në vitin 2010". Kryeministri u shpreh se për investime në infrastrukturë, qeveria është e gatshme të marrë edhe borxh, vetëm për të realizuar projektet që lehtësojnë jetën e qytetarëve.
"Paraardhësit tanë merrnin borxhe për rrogat dhe shërbime operative. Asnjë qindarkë s’merret borxh për rrogat”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, megjithë investimet më të mëdha, është ulur borxhi, sepse janë ulur shpenzimet e tjera.

"Ky vit është viti i projekteve më të shumta në historinë e vendit, projekte që Shqipëria në 100 vjetorin e saj i meriton plotësisht", përfundoi Kryeministri Berisha.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›