E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Investime për të inkurajuar turizmin”

Autori i Lajmit: Red.
Kryeministri Sali Berisha ka vizituar dje qytetin e Pogradecit ku mori pjesë në inspektimin e punimeve për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza dhe kolektorit të këtij qyteti si dhe në përurimin e disa rrugëve. Kryeministri pohoi se investimi për impiantin e ujërave të zeza bëhet në një nga zonat më të rëndësishme turistike të Pogradecit dhe është në vazhdim të modernizimit të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve të Pogradecit me një vlerë totale prej 15 milionë eurosh, të investuara nga banka gjermane KfV dhe buxhetit të shtetit. “Me këtë investim realizohet pjesa kryesore e një projekti të madh, i cili synon të pastrojë liqenin nga të gjitha derdhjet e ujërave të papastra, duke i rikthyer liqenit pastërtinë natyrore që ka”, - tha Berisha. Kryeministri u shpreh se kjo është një domosdoshmëri e madhe për të inkurajuar turizmin në qytetin e bukur të Pogradecit. Kryeministri mori pjesë edhe në përurimin e përfundimit të fazës së parë të rrugës industriale Pogradec, investim i buxhetit të shtetit me vlerë prej 22 milionë lekësh. Duke përshëndetur banorët, Kryeministri u shpreh se shumë shpejt do të vazhdohet me fazën e dytë të kësaj rruge dhe trotuaret. Ai garantoi se qeveria do të financojë pa u kursyer çdo projekt për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së qytetit të mrekullueshëm të Pogradecit. “I kërkova kryetarit të Bashkisë që të bëjë gati projekte të tjera, në mënyrë që qeveria t i financojë ato për të përmirësuar infrastrukturën e këtij qyteti të mrekullueshëm, të qytetarëve të mrekullueshëm që janë kaq mikpritës, punëtorë, të mençur dhe me të gjitha virtytet më të arrira të shqiptarëve”, - tha ai. Kreu i Ekzekutivit mori pjesë dhe në përurimin e fillimit të punimeve në shëtitoren “Fan Noli”, financim i buxhetit të shtetit me vlerë prej 80 milionë lekësh.
Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›