E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për tatimet dënon biznesin

Autori i Lajmit: Suela Topi
Som“Ky ligj i jep drejtorit të Tatimeve rolin e konfiskuesit duke i dhënë kështu funksione të institucioneve të tjera si të prokurorisë, gjyqësorit apo të përmbaruesit çka lë shteg për abuzivizëm dhe përdorim nga politika dhe njëherësh cenohen institucionet e pavarura”

Partia Socialiste ka kërkuar më shumë kohë për konsultimin e ligjit, "Për procedurat tatimore" dhe atë "Për falimentimin", duke gjykuar se ato përkeqësojnë klimën e biznesit në vend. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh të premten se përmes përfaqësuesve në Komisionin e Ekonomisë, por edhe në seancën e së hënës, socialistët kërkuan që të kishte më shumë kohë për diskutim dhe të reflektohen disa probleme që krijon miratimi i ligjit të procedurave tatimore. Sipas saj, këto projektligje përcjellin frymën e një legjislacioni kryesisht penalizues, që rrit abuzivitetin, dëmton rëndë biznesin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Madje, Leskaj pohoi se ky projektligj i Qeverisë i jep drejtorit të Tatimeve rolin e konfiskuesit duke i dhënë kështu funksione të institucioneve të tjera si të prokurorisë, gjyqësorit apo të përmbaruesit. Gjithashtu, sipas saj, projektligji bie ndesh me ligjin për shoqëritë tregtare.
Deklarata
Leskaj theksoi dje se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që anuloi nenin antikushtetues në ligjin aktual “Për Procedurat Tatimore”, konkluzioni i ekipit të FMN-së se marrëdhëniet me biznesin janë përkeqësuar, vlerësimi i Bankës Botërore për ambientin e rënduar të biznesit si reagimi i përsëritur i të gjitha shoqatave të biznesit për përkeqësim të legjislacionit tatimor, janë dëshmi e mungesës së reflektimit nga qeveria dhe shumica parlamentare. Ajo tha se PS, duke i konsideruar këto ligje shumë të rëndësishme, përmes përfaqësuesve të saj në Komisionin e Ekonomisë po edhe në seancë ka kërkuar që të kishte më shumë kohë për diskutim dhe të reflektohen disa probleme që krijon miratimi i ligjit të procedurave tatimore. Leskaj pohoi më tej se Grupi Parlamentar Socialist kërkoi që biznesi të konsultohej për këtë ligj të rëndësishëm, kjo edhe për faktin që projekti i ardhur nga Qeveria, ka pësuar shumë ndryshime në Komisionin e Ekonomisë, ndryshime që nuk janë diskutuar me palët e interesuara. Por sipas saj, këto kërkesa janë shpërfillur. “Në fakt, ky ligj i jep drejtorit të Tatimeve rolin e konfiskuesit duke i dhënë kështu funksione të institucioneve të tjera si të prokurorisë, gjyqësorit apo të përmbaruesit çka lë shteg për abuzivizëm dhe përdorim nga politika dhe njëherësh cenohen institucionet e pavarura. Ligji gjithashtu bie ndesh me ligjin për shoqëritë tregtare”, - tha ajo. Kryetarja e deputetëve socialistë theksoi se projekligji i Qeverisë përkeqëson mjedisin e biznesit, i cili edhe kështu është i përkeqësuar, siç rezulton edhe nga raportet e fundit dhe konkretisht nga ai Doing Business, ( të bërit biznes) i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 136 ose vendin e fundit në rajon. Leskaj kujtoi se shoqatat e biznesit kanë denoncuar para pak ditësh publikisht ndryshimet në procedurat tatimore, si antikushtetuese. Sipas saj, minimalisht qeveria duhet të reflektonte mbi atë që presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Filip Bai kërkoi në emër të biznesit “që zgjidhje të tilla të vijnë nga tryeza të përbashkëta me qeverinë dhe jo nëpërmjet rrugës së gjykatës.” Njëherësh sipas Leskajt, qeveria duhet të reflektojë ndaj kritikave të BE mbi cilësinë e ligjeve dhe miratimin e tyre në nxitim. “Së fundi, Grupi Parlamentar i PS vlerëson se cilësia e dobët e ligjeve, fryma e një legjislacioni kryesisht penalizues që rrit abuzivitetin, shkalla e lartë e korrupsionit e administratës fiskale dëmtojnë rëndë biznesin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Këto ligje duhen kthyer në komisionet parlamentare që ekspertët dhe bzinesi të kenë mundësinë të kontribuojnë për to, që ligji të zhvishet nga pushteti absolut”, - përfundoi ajo.
Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›