E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti më i ri i PD-së kritikon aleatët dhe kërkon më tepër përgjegjësi në qeverisje

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kur zgjedhjet e 2009 po afrojnë, demokratët i rikthehen historisë së ndarjes së posteve partiake me ato në Ekzekutiv. Anëtari i kryesisë, Edi Paloka, i cilëson si të rëndësishme ristrukturimin në parti për të mos përsëritur atë humbje të zgjedhjeve elektorale. Ndërsa Preç Zogaj nuk i mëshon kësaj ideje për faktin se në Ekzekutiv duhet të qeverisin më të mirët, siç i konsideron ai. Por Zogaj dhe Paloka bashkohen në idenë se ka ardhur koha për ndryshime në qeveri. Sipas Zogajt, ndryshimet në Ekzekutiv duhet të bëhen jo vetëm për shkak të sondazheve të korrupsionit, të cilat nuk janë shumë premtuese për Shqipërinë, por edhe për t i dhënë impulse të reja qeverisjes. Debati për ndarjen e posteve u hap pas zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2008, ku Partia Demokratike humbi shumicën e bashkive kryesore në vend. Ristrukturimi i partisë, sipas deklaratave të atëhershme të kryeministrit Berisha, parashikonte ripozicionime të zyrtarëve të lartë në parti, të cilët njëkohësisht mbanin dhe poste të larta në ekzekutiv. Deri atëherë vetëm Jemin Gjana ka dhënë dorëheqjen nga posti i sekretarit Organizativ për t u bërë ministër i Bujqësisë, post i cili aktualisht mbahet nga Flamur Noka. Ndërsa si nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, ashtu dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode, vazhdojnë të kenë poste të rëndësishme përveç atyre në parti. Deri tani, i vetmi që sfidoi hapur Boden duke shprehur ambicien për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, ishte Arben Imami, aktualisht këshilltar në kabinetin Berisha.
Qëndrimet
Deputeti demokrat Preç Zogaj komenton më tej të dhënat e sondazhit të publikuar nga IDRA lidhur me korrupsionin në Shqipëri. Ai pohon se rubinetat e korrupsionit të madh pothuajse janë mbyllur duke pasur parasysh doganat, të cilat, sipas Zogajt, ishin burimi më i madh i korrupsionit. Por deputeti demokrat tha dje se vazhdon të mbetet problem korrupsioni në nivele më të ulëta. “Burimet e mëdha të korrupsionit janë mbyllur, por ka probleme për mikrokorrupsionin, që janë jo vetëm ryshfetet, por edhe abuzime në nivele të ndryshme. Unë them se duhet ta shohim problemin drejt në sy dhe me të njëjtën kurajo, vendosmëri dhe profesionalizëm që kemi përballuar makrokorrupsionin, të përballojmë mikrokorrupsionin, i cili është dhe më i prekshëm për publikun e gjerë, sepse edhe jetohet nga publiku i gjerë”, - tha ai. Ndërsa Paloka e vuri në diskutim këtë sondazh duke pohuar se ato bëhen mbi perceptimin e qytetarëve, por këto perceptime nuk pasqyrojnë gjithmonë realitetin. Lidhur me ndryshimet në qeveri për të luftuar korrupsionin në nivele më të ulëta, Zogaj tha se duhet të bëhet një analizë e gjerë e asaj çka është bërë dhe çfarë duhet bërë. “Kur themi ne që kemi 1 miliard e 200 milionë euro më shumë në arkën e shtetit nga e njëjta ekonomi do të thotë se ky është antikorrupsion, sepse ato para nuk kanë rënë nga qielli. Por ekziston korrupsioni në nivele të tjera, në pamje të tjera. Pastaj, vetëm korrupsioni është një qenie që i përshtatet mjedisit, ndryshon paraqitjen, u përshtatet mënyrave të reja, merr forma të reja. Nuk përballohet vetëm me ndryshime në qeveri, kjo kërkon një reflektim për mendimin tim, shumë të menduar se ç po ndodh tani me historinë e antikorrupsionit në Shqipëri dhe duhet përballuar në aspekte ku zhvillohen”, - tha Zogaj. Por ai shtoi se ndryshimet në qeveri duhen bërë jo vetëm për shkak të këtyre sondazheve, por duhen bërë për t i dhënë impulse të reja qeverisjes, më shumë përkushtim. “Duhet dalë nga një lloj rutine që krijohet natyrshëm herë pas herë dhe kjo duhet bërë në bazën e një analize. Unë nuk them që duhen bërë ndryshime për ndryshime, unë nuk jam për të mbajtur qeverinë në presionin e kërkesave për ndryshime. Detyra jonë është t i themi dhe besoj se këto ide nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Ideja e një qeverie më përfaqësuese është një ide aktuale”, - tha ai. Ndërsa Paloka ka shtuar se ndryshimet në qeveri duhet të bëhen në përshtatje me reformat e ndërmarra në vend. Paloka kritikoi ministritë e drejtuara nga aleatët, ndërsa pohoi se ata kanë njëlloj pavarësie të papranueshme. “Unë nuk jam nga ata që them se duhet të fshihen aleatët nga qeveria, por ata duhet të jenë më të përgjegjshëm, sepse ministritë që kanë, nuk janë për të ngritur partitë e tyre, për të punësuar anëtarët e partive të tyre, por janë për të zbatuar një politikë qeverisëse që e ka gjithë koalicioni i djathtë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›