Berisha: Investimet e huaja në katër muajt e 2012 u rritën me mbi 20%

Mbledhja e Qeverisë, Kryeministri: Stabiliteti ekonomik dhe ruajtja e rritjes ekonomike, rezultat i reformave
Kryeministri Sali Berisha u ndal dje në mbledhjen javore të Qeverisë, tek zhvillimet ekonomike. Kreu i qeverisë theksoi se një ndër treguesit e rëndësishëm i cili dëshmon vitalitetin, dinamizmin dhe progresin e ekonomisë shqiptare është rritja e ndjeshme e investimeve të huaja në vend, të cilat 4 muajt e parë të këtij viti u rritën me mbi 20 % krahasuar me 4 muajt e parë të një viti më parë. Duke vlerësuar se kjo rritje përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme, në vend, kryeministri theksoi se ajo është dëshmi e rritjes së besimit tek Shqipëria dhe ekonomia e saj, si dhe dëshmi e ekzistencës së një klime miqësore ndaj biznesit dhe krijimit të garancive ligjore që kërkohen në mënyrë që projektet e huaja të zhvillohen në Shqipëri. “Ka dy të tregues që dëshmojnë për vitalitetin, dinamizmin, progresin e ekonomisë shqiptare. Njëri nga këta tregues dëshmon se 4 muajt e parë të vitit investimet e huaja ne Shqipëri u rritën me mbi 20 %, krahasuar me 4 muajt e parë të vitit të kaluar. Kjo e dhënë është inkurajuese. Rritja e investimeve te huaja në vend përbën një nga lajmet më pozitive, një nga zhvillimet me te rëndësishme, është dëshmi e rritjes së besimit tek Shqipëria dhe ekonomia e saj, është dëshmi e krijimit të një klime miqësore ndaj biznesit, është dëshmi e krijimit të garancive ligjore dhe te tjera që kërkohen në mënyrë që projektet e huaja të zhvillohen në Shqipëri. Por mbi të gjithë është tregues i një punësimi në rritje të shqiptarëve. Me fluksin në rritje të investimeve te huaja është tërësisht e sigurt se rritet në mënyrë proporcionale dhe të ndjeshme punësimi i qytetarëve shqiptarë. Sipas Qendrës Kombëtare te licencave dhe lejeve, 4 mujori i parë i këtij viti pati një shtim prej 420 biznesesh të reja të licencuara vendi dhe të huaja, pra pati një shtim të ndjeshëm të sipërmarrjes së lirë. Analistët preferojnë ta lidhin këtë me kthimin e emigrantëve. Nuk përjashtohet mundësia që biznese nga vendet fqinje të transferohen në Shqipëri. E rëndësishme është se këto biznese transferohen dhe hapen në Shqipëri se në vend ka një klimë miqësore ndaj biznesit ndaj dhe janë të mirëpritur dhe të sigurt se do të bëjmë gjithçka për sigurimin e biznesit të tyre. Një vlerësim i ditëve të fundit që ju bë ekonomisë shqiptare u shpreh për stabilitet të saj, ndërkohë që ky stabilitet është i pakët në shumicën e ekonomive të tjera”-u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se me rritjen e investimeve të huaja në vend, është rritur në mënyrë proporcionale dhe të ndjeshme edhe punësimi i qytetarëve shqiptarë, i cili përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit. “"Me fluksin në rritje të investimeve të huaja është tërësisht e sigurt se rritet në mënyrë proporcionale dhe të ndjeshme punësimi për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se ekonomia dhe reformat e saj, liria ekonomike dhe zgjerimi i saj do të mbeten objektivat më madhore të qeverisë edhe në të ardhmen. Në këtë kontekst, kryeministri ftoi që të shqyrtohen të gjitha mundësitë dhe mënyrat, si dhe të përcaktohen masat që do të merren për të konsoliduar më tej liritë ekonomike, në mënyrë që pasuritë e vendit të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë. “Ky stabilitet ekonomik, dua të theksoj dhe ruajtja e rritjes ekonomike janë rezultat tërësor i reformave të thella që ka ndërmarrë qeveria, janë rezultat i investimeve kolosalë qe ka bërë qeveria në infrastrukturën e vendit. Çdo rrugë që hapet është kanal mushkëror i tregut, i lëvizjes së energjisë së tregut, i vlerësimit dhe rivlerësimit të aseteve të asaj zone dhe atij vendi. Çdo sistem ujor që ndërtohet përmirëson kushtet e jetës së qytetarëve të asaj zone dhe bën atë më të jetueshme më të përshtatshme. Në axhendën tonë ka qenë dhe do të mbetet ekonomia dhe reformat e saj, liria ekonomike dhe zgjerimi i saj, kushtet, objektivat më kryesorë të veprimtarisë sonë, ndaj dhe ju ftoj të shqyrtojmë me seriozitetin më të madh në fushën ku ne operojmë se çfarë masash të reja do të marrim për të zgjeruar më tej lirinë ekonomike, se çfarë masash të reja do të marrim për të konsoliduar më tej liritë ekonomike, çfarë do të bëjmë ne që pasuritë e mëdha të këtij vendi të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë. Duhet të bëjmë gjithçka për të lehtësuar më tej veprimtaritë e biznesit. Është biznesi, veprimtaria e tij, faktori më përcaktues në përballjen me sukses nga Shqipëria me njërën nga krizat më të rënda që njerëzimi ka njohur ne 80 vitet e fundit. Kjo krizë shumëplaneshe do të vazhdojë ndaj dhe është në detyrimin tonë të shqyrtojmë çdo aspekt të saj për t’iu përgjigjur me masa të përshtatshme që mbrojnë Shqipërinë nga recensioni, që garantojnë në Shqipëri rritjen ekonomike. Rritja ekonomike duhet të jetë qëllimi më kryesor i të gjithë veprimtarisë sonë dhe ka qenë i tillë. Faktikisht me gjithë ndikimet e pamohueshme të krizës së euros, të krizës së rajonit, të krizës globale, rritja në Shqipëri ka mbetur 4 herë më e madhe se sa rritja mesatare e rajonit. Por potencialet janë më të mëdha dhe le të bëjmë gjithçka që atë sukses që kemi arritur në fushën e energjetikes, ta shënojmë dhe në fusha të tjera me partneritetin publik, privat”- tha ai. Duke vlerësuar se koncesionet në fushën e energjetikes janë nga sukseset më të mëdha në historinë e vendit, kryeministri u shpreh se qeveria do të bëjë gjithçka që ky sukses të jetë prezent edhe në fusha të tjera, duke bërë që partneriteti publik, privat të shndërrohet në një Levë të vërtetë Arkimedi për zhvillimin e vendit dhe shumëfishimin e fuqisë zhvilluese ndërtuese të Shqipërisë. “Koncesionet në fushën e energjetikes janë nga sukseset më të mëdha në historinë e një vendi, por si do ja dalim ne me koncesione në fushat e tjera të shënojmë të njëjtin sukses. Të mos harrojmë se sot në HEC janë të punësuar me mijëra qytetarë shqiptarë dhe çdo javë pothuajse një HEC i ri hyn në funksion, por çfarë duhet të bëjmë ne në çdo fushë që partneriteti publik, privat të shndërrohet në një Levë të vërtetë Arkimedi për zhvillimin e vendit dhe shumëfishimin e fuqisë zhvilluese ndërtuese të Shqipërisë. Nuk duhet të hezitojmë në asnjë rast”- tha ai.
Ndërkaq, duke u ndalur në suksesin e arritur në reformat në fushën e telekomunikacionit, kryeministri premtoi se shumë shpejt të rinjtë shqiptarë do të lundrojnë falas në internet, duke e bërë Shqipërinë, ndoshta të vetmin në botë, ose ndër të paktët në botë që do të japë internet falas.