E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA kundra regjimeve totalitare dhe gjakatare

21-06-2012 / Nga Ilirian Dahri

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë i qartë. Diktatorët dhe regjimet e tyre të egër duhet të përmbysen. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar gjithmonë që kur masakrohet një popull i tërë të ndërhyhet me të gjitha mjetet e nevojshme. Nisur nga situata aktuale e regjimit në Siri, vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka deklaruar se: “Besoj se janë të ndërgjegjshëm për rreziqet e rënda për të gjithë me nisjen e një lufte civile”. Nga ana tjetër po aq i qartë është edhe qëndrimi i Rusisë dhe Kinës. Presidenti Putin është kundërpërgjigjur: “Janë sirianët që duhet të vendosin për fatet e Assad-it” – kështu ka deklaruar ai në konferencën për shtyp të zhvilluar pas përfundimit të G20 në Los Gabos në Meksikës. Lidhur me pozicionet që po mbahet për situatën në Siri, Putin ka nënvizuar se “kemi kundërshtime me vendet e tjera”. Por presidenti i SHBA pasi shtë takuar edhe me presidentin kinez ështe shprehur: “Shtetet e Bashkuara kërkojnë bashkëpunimin e Kinës për të ndalur gjakderdhjen ne Siri”. Kemi një përfshirje të gjithanshme diplomatike të të gjitha shteteve për situatën në Siri nga SHBA tek Bashkimi Europian, nga Rusia tek Kina për të mbërritur deri tek Irani. Një betejë e vërtetë politike dhe diplomatike dhe tashmë nuk mungon edhe beteja detare. Sipas agjensisë së shtypit Interfax është njoftuar nisja për në portin sirian të Tartusit (që në fakt është vendi ku ndodhet baza detare e Rusisë) i dy anijeve të zbarkimit me trupa dhe mjete për të evakuuar shtetasit rusë dhe për të imbarkuar paisjet e përdorura në bazën e vetme të Moskës në Mesdhe. Duket se rusët po e konsiderojnë në ikje regjimin e Assad –it dhe po përgatiten të heqin gjithçka prej aty.  Ndërsa nga ana ruse ka patur përgënjeshtrime të menjëhershme për këtë fakt burimet iraniane kanë shkuar më tej. Forcat detare ruse kanë përgënjeshtruar lajmin e një nisjeje të mundshme të anijeve luftarake nga brigjet siriane. Një burim tjetër i flotës të Detit të Zi, e cituar nga Itar-Tass ka nënvizuar se asnjë anije ruse nuk është nisur nga porti Tartus dhe që dy anijet “Tsesar Kunikov” dhe “Nikolai Filcenkov” kanë braktisur vërtet bazën por për të kryer një stërvitje që ishte planifikuar me kohë. Nga Irani dhe sipas agjensisë Fars, forcat detare ruse, kineze, ato iraniane dhe siriane do të kryejnë “stërvitje anfibe të përbashkëta përgjatë bregut sirian në javët e ardhshme”. Agjensia citon “burime të sigurta” ndoshta duke marrë shkas edhe nga deklaratat që u bënë në maj sipas të cilave në muajt në vijim do të kryheshin në atë rajon stërvitje me pjesmarrjen e 90 mijë ushtarëve, 400 forcave ajrore dhe rreth një mijë forca të blinduara. Por në këtë situatë edhe Egjipti nuk po qëndron larg, madje sipas burimeve iraniane Egjipti ka kërkuar përshpejtimin e procedurave për të lejuar në Mesdheun lindor, 12 anije kineze që priten të mbërrijnë në Tartus në javët e ardhshme, kur do të mbërrijnë edhe anije dhe nëndetëse iraniane madje dhe një skuadër detare ruse. Lajme që bazohen sipas tyre në burime të sigurta, madje ka dhe të tjera. Kina dhe Irani ndërkaq kanë intesifikuar vizitat e anijeve luftarake në Mesdhe por që nga ana tjetër thuhet se këto stërvitje të përbashkëta mund të bëjnë pjesë në organizatat për kooperim të Shangait ku Irani merr pjesë si vëzhgues. Një gjë e rëndësishme është e qartë se aksi Moskë - Pekin nuk tërhiqet nga synimet për të lejuar që të mbretërojë ende regjimi i Asaad –it. Një javë më parë një gazetë ruse kishte referuar një plan ndërhyrje ushtarake ruse në Siri me moblilizim e dy divizioneve të ushtrisë, mes tyre parashutistë dhe një repart marinsash, të njëjtën që ndodhen në anijet e zbarkimit Flicenkov dhe Kunikov. Jemi në një “luftë” mes perëndimit dhe aksit Kinë - Rusi – Iran për çështjen e regjimit të Assad –it? Është e qartë se po. Javën e kaluar duke ju përgjigjur mediave amerikane disa zyrtarë të lartë rusë kanë deklaruar se lajmet për anijet luftarake nuk janë të vërteta dhe sipas tyre amerikanët nuk e kanë mësuar mirë gjeografinë nëpër shkolla. Por ndërkaq një anije transporti ruse që transportonte helikopterë Mi-25, dhe që sipas të gjitha gjasave  do të përfundonin në Siri u ndalua në brigjet britanike nga Royal Navy. “Konstatuam se anija Alaed transportonte municione për Sirinë. Kemi lajmëruar pronarin e anijes duke i nënvizuar se siguracioni i anijes pezullohet për shkak të natyrës së udhëtimit”.  Ndërsa burime të sigurisë britanike kanë konfirmuar se është komunikuar me kompaninë e siguracionit se nëse nuk do të pezullonin sigurimin do të shkelnin sanksionet që Bashkimi Europian ka ndërmarrë kundër Sirisë. Po jo më larg se një javë më parë kishte qenë vetë Hillary Klinton, sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,që akuzoi Rusinë se po shiste helikopterë ushtarakë të destinuar për regjimin e Bashar al Assad. Natyrisht reagimi i Moskës ka qenë i menjëhershëm por rusët kanë deklaruar se flitej thjesht për mirëmbajtje dhe për një azhornim të helikopterëve të dorëzuar disa vite më parë. Ndërkaq anija Alaed vinte nga Kaliningradi dhe ishte drejtuar drejt portit të Tartus - it. Në fillim u pa në brigjet e Hollandës për t’u drejtuar pastaj  drejt Skocisë. Situata nuk është nga më të mirat po të shihet edhe fakti se nga Siria tashmë situata po vështirësohet edhe në Liban. Në këtë vend ka patur përleshje dhe vdekje të pafajshme të zhvilluara mes shiitëve dhe sunitëve. Në veri të Libanit ka patur përleshje mes mbështetësve të regjimit të Assad –it dhe atyre që e kundërshtojnë atë regjim. Një vend ky i fundit ku historikisht kanë qeverisur shiitët sirianë të cilët kanë patur një influencë të fortë falë mbështetjes të Hezbollah, partisë Shiite që me milicinë e saj ka qenë shumë aktive në luftën me Izraelin në vitin 2006.
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›