E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Ramën, bllokimi është konsensus

21-06-2012 / Nga Luan Myftiu

Konsensusi është lëshim, kurse bllokimi - pengesë. I pari i shërben zhvillimit, i dyti - prapambetjes. Ndërsa konsensusi është frymë lirie demokratike, bllokimi është frenim, mbyllje, kthim mbrapa. Konsensusi është altruizëm, bllokimi - pjellë e egoizmit të sëmurë. Të gjitha demokracítë zhvillohen me anë të konsensusit. Të gjitha diktaturat vënë në themel bllokimin. Kurse Rama çmon bllokimin si konsensus. Ai nuk mund të merret vesh me kundërshtarin veçse duke iu imponuar. Filozofía e dhunës, e urrejtjes dhe e trajtimit të kundërshtarit si armik, nuk mund të pranojë si mjet zhvillimi konsensusin, mirëkuptimin. Kurse duhej të ndodhte e kundërta. Meqë mbahet për liberal, Rama lypsej të ishte ithtar i konsensusit. Por dhe si jopolitikan, duhej ta kishte konsensusin motorin e misionit të tij përtëritës. Ndërsa si ideator i “rilindjes”, duhej të ishte mishërim i dialogut, lëshimeve, mirëkuptimit. Kurse, si luftëtar  i integrimit, i pari duhej të ngrinte flamurin e kosensusit për konvergimin e alternativave në shërbim të çështjes madhore kombëtare. Pa le si demokrat liberal që e mban veten, ai lypsej të fliste vetëm për tolerancë dhe vetëm me mirëkuptim duhej t’ua fitonte zemrat shqiptarëve.
Mirëpo Rama nuk e do konsensusin. Ai ka frikë nga ballafaqimi me të vërtetat aktuale dhe ato historíke. Madje, duket sikur ai as i kupton epërsitë e lëshimeve të arsyeshme, detyrimet prej lideri ndaj çështjeve madhore kombëtare. Se nuk pajtohet egoizmi personal me hapësírat “altruiste” të mirëkuptimit shoqëror. Nuk e kupton Rama se konsensusi nuk mund të jetë i njëanshëm. Se ky konsensus kërkon të bësh zbritje, lëshim, heqje dorë prej disa elementësh të alternativës që përfaqëson, për t’u afruar me atë të kundërshtarit politik. Mirëpo, si i paaftë të drejtojë, Rama synon imponimin. Ai pret të fitojë, po humbi kundërshtari. Të dalë i mirë, po u baltos kundërshtari ! Prandaj dhe nuk pajtohet dot me konsensusin. Se vetë ideja e marrjes së pushtetit me dhunë, nuk e pranon mirëkuptimin. Kurse kërkesa për pushtet në tavolinë nuk mund të pajtohet me dialogun konstruktiv. Se a nuk është jashtë konsensusit fryma e revoltave, e shpifjeve, e sajimit të krizave artificiale, e bojkoteve pa fund dhe e bllokimeve absurde? Jo! Rama nuk mund ta pranojë konsensusin, për sa kohë nuk dëshiron as integrimin. Ndoshta prandaj bllokimin e sheh si konsensus. Se s’mund të jetë për konsensus ai që synon izolimin e Shqipërísë dhe kërkon shndërrimin e kësaj në një çiflig të miliarderëve, me të cilët synon të sigurojë “barazinë në mjerim” dhe “lumturinë e gënjeshtrës” së asaj “lugës së florinjtë”.
Edvin Rama nuk e do konsensusin, sepse nuk priret nga synimet fisnike për t’i shërbyer aspiratës europiane të këtij populli të vuajtur. Nuk do Rama një Shqipërí, ku skllevërit e diktaturës të jenë të barabartë me ata, të cilët dje u merrnin këtyre edhe jetën pa faj. Jo! Nuk duan, as Rama, as klanet e miliarderëve të tij, as gjithë neobllokmenët një demokrací për të gjithë. Nuk do “aristokracia” e krimit të përballet me të vërtetat rrënqethëse të gjenocidit komunist. Nuk pranon ajo, mafia komuniste, të japë llogari për vjedhjet monstruoze, që u ka bërë pasurive kombëtare. Ndaj edhe klith plot hipokrizi për konsensus duke qenë kundër tij; edhe ulërin për integrimin duke sabotuar çdo reformë; edhe vë kujen për varfërim të skajshëm, për papunësí galopante dhe për paaftësí drejtuese të mazhorancës, që të mbijetojë me atë shpresën e kotë të filozofisë optimiste të aríut, i cili kërkonte të piqeshin dardhat, meqë atij i haheshin shumë. Mirëpo bllokimi është dhe një lloj marrje pengu. Se dhe Enver Hoxha, për t’u treguar “liberal”, vinte kushte. Meqë i kishte peng tre milionë shqiptarët, i thosh botës. “U dhimbset Shqipëría? Më bëni mua lëshime. Më pranoni ç’kam vrarë e grabitur! Mos m’i kujtoni krimet! Mos më pengoni tregtinë e paligjshme! Mos më demaskoni pse lë popullin pa bukë, që të forcoj lëvizjet marksiste-leniniste! Hiqni dorë nga ekonomia e tregut dhe të drejtat e njeriut dhe ejani pastaj të merremi vesh ! Ndryshe, keni punë me mua. Se unë kam në dorë jetën e shqiptarëve!” etj, etj.
Natyrisht, Rama nuk mund të sillet sot si “ustai”. Ndaj, në vend të izolimit me ligje, sajon kriza dhe ngërçe, që të frenojë investimet e huaja. Jep alarm për “kërkim masiv statusi” nga ana e shqiptarëve, që të pengonte lëvizjen e tyre të lirë. Bllokon miratimin e ligjeve për të krijuar imazhin e një vendi të pasigurtë. Bllokon reformat, që të vonojë marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Kurse... Tani që presidenti u zgjodh brenda kuadrit kushtetues dhe Europa e bota uruan të parin e shtetit, Rama po jep ultimatume për ndërprerje konsensusi; për uzurpim institucionesh nga mazhoranca; për zhvillime mafioze të ekonomisë. Ndaj, jep shenja për bllokim reformat, ndërkohë që shpif dhe ekzagjeron përmasat e korrupsionit, zmadhon numrin e të papunëve dhe bubullin e gjëmon nga marazi, kur rriten rrogat e pensionet. Ramën e tmerron zhvillimi, se ky ia shuan shpresat e kthimit në pushtet. Ramën e pikëllon bashkimi solid i të djathtës dhe e çorodit lëvizja "Nano". Prandaj, o burra bllokim në Kuvend ; bllokim në ekonomí; bllokim imazhit të mirë të vendit. Por, mbi të gjitha, o burra frenim zhvillimit të burimeve energjetike! O burra bllokim zhvillimit të rrugëve ! O burra alarm për, gjoja, mosmbajtje premtimesh, për të meta, që burojnë nga zhvillimi dhe o burra sa më shumë heshtje për sukseset e bujshme të mazhorancës! Kur lideri humbka shpresat për kthimin në pushtet, u bëka dhe peng i klaneve mafioze, që e kërcënojnë për dështimet! Zoti e ndihmoftë, se dhe durimi i socialistëve ka një kufí!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›