Berisha: Investimet e qeverisë do e kthejnë Shqipërinë në një superfuqi
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë gjatë ditës së sotme, në inaugurimin e një rruge që lidh fshatrat e bashkisë së Sukthit dhe komunës së Manzës me plazhet e gjirit të Lalzit. Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se Shqipëria është ndër vendet e rralla në rajon dhe Europë, që nuk është prekur nga kriza e rëndë ekonomike. Sipas tij, këtë gjë e tregojnë investimet e vazhdueshme të qeverisë.
Berisha tha se investimet e qeverisë që ai drejton do të vijojnë, në mënyrë që Shqipëria të kthehet në një superfuqi.
Do ketë investime që do e bëjnë Shqipërinë një superfuqi. Do ti japim frymëmarrje të gjerë investimeve në sektorin privat, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij, ndërkohë që si zakonisht ka akuzuar opozitën, duke thënë se ajo është gjithmonë kundër investimeve të qeverisë.
Ruga e re Hamallaj-Manëz-Tiranë ka gjatësi 5,1 kilometra dhe gjerësi 6 metra përbën një investim prej 174.594.700 lekë, financuar nga qeveria shqiptare, BERZH dhe BEI.
Ajo fillon në aksin e Rrugës Nacionale Maminas Shënpjetër, pranë fshatit Armath, përshkon fshatin Hamallaj dhe përfundon në bregdet pranë Hidrovorit.
Rruga, nga e cila përfitojnë 6500 banorë përshkron territorin administrativ të Bashkisë Manëz dhe Sukth, të cilat i lidh me bregdetin e Hamallajt.