Njoftim zyrtar apo me sms i Nishanit për opozitën?
Është kthyer në një çështje qesharake çështja e ftesës së presidentit Bujar Nishani për deputetët e opozitës për vizitën e tij në Kosovë. Një ditë më parë, burime nga Presidenca bënë me dije se kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i ishte dërguar një ftesë me…sms dhe kjo ishte refuzuar nga ana e këtij të fundit.
Por, po nga Presidenca sot përgënjhestrohet ky variant. Sekretari i përgjithshëm i Nishanit, Bardh Spahia, ka thënë se PS ka marrë ftesë zyrtare dhe jo më sms.
Ai është shprehur se Gramoz Ruçit i është dërguar një ftesë zyrtare që në delegacion të merrte pjesë deputeti i Kukësit, Asllan Dogjani, duke qenë se edhe nga PD, merrte pjesë vetëm deputeti i Kuukësit, Fatos Hoxha.
Por, sipas Spahisë, ftesa e Nishanit është refuzuar nga ana e Dogjanit, i cili nuk ka pranuar që të marrë pjesë në vizitën e Nishanit në Kosovë.
Tashmë nuk dihet se cili variant duhet besuar, por Nishani duket se e ka filluar me incidente qesharake detyrën e tij.