Berisha: Ismail Kadare, shkrimtar disident
“Pallati i ëndrrave” është libri më disident i shkruar ndonjëherë, që prej revolucionit të tetorit, deri në rënien e diktaturës”. Kështu u shpreh mbrëmë gjatë një ceremonie të organizuar për nder të shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, Kryeministri Sali Berisha. Dje, në ambientet e Akademisë së Shkencave, u zhvillua një ceremoni speciale me rastin e dhënies së çmimit “Princi i Asturias për Letërsinë”, shkrimtarit shqiptar. Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë akademikë, dashamirës të letërsisë, por edhe kryeministri Berisha, zv. kryeministri Ilir Meta, ministri i Shtetit Genc Pollo, si dhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri, shkrimtarit iu ridha në mënyrë simbolike trofeu, të cilin jo me pa të drejtë e meritoi në Spanjë, në fund të muajit tetor. Vetë Kadare preferoi të mos fliste gjatë, por vetëm të falënderonte të gjithë të pranishmit për lëvdatat, që siç tha ai, nuk e ka të lehtë t’i dëgjojë. “Unë nuk jam një njeri i jashtëzakonshëm”, tha Kadare. Për veprën e Kadaresë foli studiuesja e letërsisë, akademikja Floresha Dado, e cila u shpreh se ky çmim është vetëm një paralajmërim për të tjera çmime. Sipas saj “princi i Asturias” është një akt drejtësie, por edhe një këshillë për Akademinë Suedeze, që ndan Çmimin “Nobel”. Sipas dados, vepra universale e Kadaresë, ka ende shumë për t’u studiuar në të gjitha dimensionet e saj. Një fjalë të gjatë përshëndetëse, në nivelet e një referati studimor mbajti ambasadori spanjoll Manuel Montobbio, sipas të cilit merita e Kadaresë qëndron në faktin që arriti të shkruajë një letërsi normale në një sistem anormal, nën thundrën e një diktature që rrekej të kontrollonte edhe ëndrrat e njerëzve, siç Kadare e përshkruan në romanet e tij “Pallati i ëndrrave” dhe Spiritus. Në pozicionin e lexuesit të pasionuar, kryeministri Berisha do ta quante Kadarenë si një zbërthyes të shpirtit shqiptar. “Ai i jep përgjigjen më të vërtetë dhe më origjinale, pyetjes tunduese, si cilët janë shqiptarët. Në asnjë arkiv dhe në asnjë tekst nuk përjetësohet shpirti i kombit si në veprat e Kadaresë”, tha Berisha. Ai vlerësoi kurajën e veprës së Kadaresë. Sipas tij, asnjë shkrimtar i quajtur disident nuk kishte mundur më parë të godiste “trurin” siç bëri ai në veprën “Pallatin e ëndrrave” “që të gjithë e kuptonim që bëhej fjalë për ndërtesën karshi, Komitetin Qendror”. Gjithashtu, Berisha u shpreh se vërtetë Kadare u largua nga vendi, por në një kohë kur pritej përshpejtimi i një procesi, por nuk u largua në kulmin e terrorit, “i vendosur të ndante qoftë edhe fatin e zi me qytetarët e vendit të tij dhe kjo është e rrallë”. Gjatë aktivitetit u shfaq dhe një pjesë nga ceremonia e dorëzimit të trofeut në Spanjë.