"Spiuni" i Dajtit, para gjykatës
Trashgim Sokolaj
Oficeri i policisë së Durrësit Maringlen Muça i arrestuar dy ditë më parë me akuzën e përkrahjes së Dritan Dajtit, gjatë kohës që ai ishte në kërkim, pritet të dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për masën e sigurisë. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë, sipas të cilëve seanca do të jetë një procedurë formale e njoftimit të vendimit të marrë më parë nga Gjykata, për "arrestin me burg" deri në fund të hetimit. Kjo masë sigurie u vendos disa ditë më parë në mungesë të oficerit të lartë të policisë së Durrësit, i cili akuzohet për "shpërdorim detyre" pasi ka ndihmuar Dritan Dajtin gjatë kohës që ishte person në kërkim. Masa e sigurisë u vendos në mungesë, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, siguruan prova për implikimin e Maringlen Muçës, në veprën penale për të cilën ai akuzohet. Pas grumbullimit të provave, në zbatim të masës së arrestit dhënë nga Gjykata, prokuroria dhe SHKB thirrën në Tiranë oficerin e Durrësit, duke i vënë prangat me akuzën se ka pasur komunikim të rregullt me shtetasin Erges Xhoxhi, kunati i të kërkuarit Dritan Dajti.
Hetuesi mohon akuzën
"Erges Xhoxhin e kam njohur që kur kam qenë në shkollë, ishim shokë bashkë", mësohet të ketë thënë oficeri i policisë së Durrësit gjatë dëshmisë së dhënë për kolegët e tij që po hetojnë masakrën e Durrësit ku u vranë katër agjentë policie. Sipas burimeve nga hetimi, oficeri Maringlen Muça ka mohuar në mënyrë kategorike akuzën duke thënë se: "Nuk ka pasur absolutisht lidhje me personin Dritan Dajti". Megjithatë oficeri është "tradhtuar" nga katër kolegë të tij të policisë së Durrësit, Krujës, Gjirokastrës e Dibrës. Ata i thirrën në zyrat e hetuesve para arrestimit të Maringlen Muçës, për shkak se numrat e tyre të telefonit rezultonin të regjistruar në celularin e kunatit të Dritan Dajtit. Gjatë deklarimeve të tyre, katër oficerët thanë se Erges Xhoxhin, e kishin njohur pasi kolegu i tyre Maringlen Muça, ua kishte prezantuar si mik të tij. "Miqësia" kishte shkuar më tej me këmbimin e numrave të celularëve dhe më tutje me komunikime të rralla. Ndryshe nga katër oficerët, inspektori i zonës ku Dritan Dajti banonte në një apartament me qira, pra Maringlen Muça, ka pasur komunikim më të shpeshtë e madje të rregullt me kunatin e Dritan Dajtit. Ai akuzohet se përmes kunatit të personit të kërkuar, ka ndihmuar të shumëkërkuarin në disa lëvizje të tij brenda vendit pa pasur pengesa apo shqetësime nga policia. Po kështu, oficeri i policisë së Durrësit, akuzohet se ka ndihmuar në pajisjen e Dritan Dajtit me një dokument me emrin Agron Zeneli, me të cilin i kërkuari prezantohej si nënkomisar i policisë së Korçës, duke shmangur shpeshherë ndalimin e mundshëm nga policia.
Lidhjet e Dajtit në polici
TIRANE - Lidhjet e të shumëkërkuarit Dritan Dajti në policinë e shtetit ranë në sy vetëm pasi ai kreu masakrën e vrasjes së katër agjentëve të policisë, të cilët morën pjesë në aksionin për kapjen e tij në Durrës. Policia i bllokoi Dajtit dhe kunatit të tij Erges Xhoxhi, pas arrestimit, dhjetë telefona celularë verifikimi i të cilëve zbuloi 5 numra telefoni që i përkisnin punonjësve të policisë. Përdoruesit e këtyre telefonave u identifikuan dhe tri ditë më parë u thirrën në Tiranë pas zbardhjes së përmbajtjes së mesazheve dhe telefonatave me kunatin e personit në kërkim. Njëri prej katër oficerëve u arrestua ndërsa tre të tjerët u lanë të lirë, pasi kishin komunikuar me kunatin e Dajtit dhe jo për çështje që përbënin shkelje të ligjit.