Vikena Kamenica,me një album për miqtë
alma mile
Për një orë ajo do të jetë kameleon. Do të jetë vajza rebele, e çmendura, e dashuruara e ëmbël, i riu fodull e djaloshi që ngre ndoshta dollinë e fundit të jetës. Pasi e kemi parë nën petkat e shumë karaktereve, nga njëra operë në tjetrën, mexosopranoja Vikena Kamenica vjen përpara publikut me një koncert recital, të titulluar “Album për miqtë”. Është vërtetë një rast për të ndarë me miqtë arritjet e shumë vjetëve, por edhe një sfidë. “Pas diplomimit në vitin 2001, ky është recitali im i parë klasik dhe kjo është një përmbledhje e karaktereve dhe roleve që kam realizuar këto vite. Në këtë koncert sjell edhe vajzën me karakter të fortë, edhe djaloshin, edhe të marrën... Është më shumë se një koncert”, thotë Kamenica, teksa përgatitet për koncertin që do të mbahet sot në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Përgatitjet për këtë ngjarje, e cila është pjesë e stinës koncertore të TKOB-it, kanë muaj që kanë nisur. Në muajin maj, së bashku me pianisten Rudina Ciko, e cila e shoqëron sërish sot në mbrëmje, realizuan një koncert kuadrin e një serie aktivitetesh me artistë me origjinë korçare. “Ndërtuam një program, të cilin menduam ta sjellim edhe në Tiranë. Është i këndshëm, jo i lodhshëm, i kuptueshëm. Janë autorë shumë të dashur për mua dhe pjesët janë plot gjallëri, të gëzueshme”, thotë mexosopranoja. Në “albumin” e saj veçon një arie nga opera “Karmen” e Bizesë, një nga rolet e saj më të suksesshme. Për të vazhduar tek romanca më e bukur që ka shkruar Cole Porter për gruan e tij, në prag të vdekjes. “Është një arie nga opereta “Kiss me Cate”, “So in love”, të cilën nuk pata mundësi ta interpretoj kur kjo vepër u realizua në Tiranë dhe gjej rastin ta këndoj tani. Është një nga pjesët e mija të preferuara”, thotë ajo. Ca më tej do t’i duhet të ndryshojë tërësisht gjini, të futet në petkat e një mashkulli “mustaqe padirsur”. Siç shpjegon Kamenica, këto janë disa role që mund t’i realizojë vetëm një mexosoprano e quhen “roli i pantallonave”. Janë role meshkujsh adoleshentë, me zëra ende të paformuar, të cilët një tenor nuk mund t’i realizojë, pasi i burrëron më shpejt. I gjen në vepra të Belinit, Mozartit, Verdit, Shtrausit, etj dhe për Kamenicën nuk do të jetë hera e parë. Dhe ka zgjedhur dy balada ekstremisht të kundërta, edhe pse të dy djelmoshat ngrenë nga një dolli. E para është “Princi rus”, i Shtrausit, që ngre dollinë e “fodullëkut” të vet, është një lloj ironizimi i mirëqenies së tij dhe një tjetër dolli, por këtë herë e një djaloshi luftëtar, nga opera “Lukrecia Borxhia”, që ngre një gotë për të ardhmen e vet. Ai po shkon në luftë dhe nuk e di në do të kthehet dhe ai pi sepse jeta është e shkurtër. Pas një pjese nga Shopen, luajtur nga Rudina Ciko, pjesa e dytë e programit do të jetë në shoqëri të miqve. Një romancë thuajse e panjohur e Nikolla Zoraqit, “Mall dashurie” e shoqëruar nga një violinë, një violonçel e piano, do të vijohet nga dy duete, “Belle nuit” dhe “Dueti i luleve”, shoqëruar nga sopranoja Dorina Selimaj. Dhe në fund do të mbyllet me një duet me tenorin Armaldo Kllogjeri nga opera “Edgar”, e para e shkruar nga Puçini. “Një histori e fortë, filozofike, por shumë pasiononte”, tregon Kamenica. E nga roli në rol do t’i duhet të shndërrohet, të hyjë nga njëra qenie në tjetrën. “Kjo është një sfidë për artistin, i cili brenda një koncerti duhet të veshë e të zhveshë karaktere, t’i vendosë përballë njëri-tjetrit dhe të krijojë një gjendje të pëlqyeshme për spektatorin”, thotë mexosopranoja, e cila nuk e fsheh emocionin, ndonëse prej vitesh skena është bërë shtëpia e saj. Dhe pse jo, duhet thënë që Kamenica është një nga artistet më skenike shqiptare. Ndërsa nuk ka realizuar shumë role në skenën e operës këtë vit, ajo ka arritur disa suksese ndërkombëtare profesionale. Në verën e këtij viti, ajo fitoi dy konkurse në Salsburg, vendlindjen e Moxartit. E ndodhur atje për të kryer një master dhe e shtyrë nga pedagogia e saj, mori pjesë në dy konkurse që zhvilloheshin në shkollën “Moxarteum”. “Nuk kisha asgjë për të humbur ndaj edhe e mora me shumë qetësi. Fitova vendin e dytë në konkursin e parë, i cili ishte tepër i vështirë, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, që nga Kanadaja, Koreja, etj. dhe pas 2 javësh mora pjesë në konkursin e dytë, ku mora çmimin e parë. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të fitoje një konkurs në vendlindjen e Mozartit, në atë shkollë tepër të fortë, tepër kërkuese dhe të frekuentuar” thotë ajo. Por ky është ende fillimi, sepse ajo e di se ka një rrugë të gjatë përpara. Sapo të mbarojë koncertin do të rinisë përgatitjen për të tjera role e të tjera vepra.
Programi
Bizet - “Habanera” nga opera “Carmen”
Bizet - “Seguidille” nga “Carmen”
Zoraqi - “Mall dashurie”, shoqëron në violinë Gëzim Bulcari, violonçel Gëzim Hysi
Offenbach- “Belle nuit” nga opera “Les Contes d’Hoffmann”
Puçini - “Edgar... Edgar...” nga opera “Edgar”
Solo në piano: Rudina Ciko - F. Chopen - Andante, spinato grand polonaise