Ministria e Kulturës, asnjë aktivitet në 29 nëntor
Prej 13 nëntorit një seri aktivitetesh kulturore po zhvillohen në kryeqytet me rastin e 65–vjetorit të çlirimit të vendit. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka menduar një program të ngjeshur me koncerte, ekspozita, ngjarje sportive, që mbushin çdo ditë, duke filluar nga data 13 nëntor. Interesant është fakti që kjo seri aktivitetesh mbyllet pikërisht në datën 28 nëntor, ndërsa për datën 29 nëntor, që për shumë shqiptarë festohet si dita e çlirimit të vendit, nuk parashikohet asnjë aktivitet. Ajo që duket absurde në gjithë këtë histori është, jo fakti që 29 nëntori për një pjesë të madhe të shqiptarët konsiderohet si dita e çlirimit, por edhe sepse kjo datë, zyrtarisht është një ditë feste dhe për të gjitha institucionet shtetërore është një ditë pushimi. Në bazë të këtij kalendari, për politikëbërësit, kjo është një festë “de jure”, sepse “de facto”, ajo nuk konsiderohet fare. Dhe nuk ka sesi të jetë një rastësi, ajo është hartuar nga sektori i Kulturës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe institucioneve të kulturës, duke i imponuar të gjithëve mendimin e atyre (politikanë e historianë të djathtë) që besojnë dhe mbështesin idenë se gjermani i fundit është larguar në 28 dhe jo në 29 nëntor. Po fundja ç’të keqe do të kishte nëse u jepnim shqiptarëve një ditë kulturë më shumë, pavarësisht nëse Shqipëria është çliruar në 28, apo 29?! Aq më tepër që aktivitetet e parashikuara nuk është se kanë përmbajtje thelbësisht historike. Duket qesharake dhe tërësisht naive kjo lloj dasije: “Për ju që besoni se Shqipëria është çliruar në 29 nëntor, nuk ka asnjë aktivitet nga ana e institucioneve shtetërore!”