E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj takim me 18 ekspertë të policisë çeke

 

TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, zhvilloi dje një takim me një delegacion të përbërë nga 18 ekspertë të policisë çeke, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në vendin tonë nga data 23-27 nëntor. Delegacioni çek përbëhet nga ekspertë të luftës kundër Krimit të Organizuar, të Antidrogës, të Krimit Kibernetik, të Terrorizmit, Interpolit, Europol-it, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit financiar, të krimeve ndaj pronës dhe vjedhjes së automjeteve, Menaxhimit të Krizave etj. Gjatë takimit të djeshëm Burgaj u ndal në reformimin që ka pësuar Policia e Shtetit, që e ka zanafillën që me miratimin e ligjit të ri të policisë. Sipas tij ky ligj e shkëputi tërësisht policinë nga ndikimi politik, e që më pas u pasua me miratimin e akteve të tjera ligjore e nënligjore në zbatim të tij. Po ashtu, Burgaj vuri në dukje faktin se me gjithë uljen e numrit të punonjësve të policisë gjatë kësaj periudhe, pozitiv është fakti që Policia e Shtetit ka arritur të përmirësojë performancën dhe rezultatet në punë. "Vizita juaj këtu, përveç vendosjes së kontaktit, njohjes dhe krijimit të besimit reciprok do t'i shërbejë luftës kundër krimit. Fuqizimi i kontakteve, rritja e bashkëpunimit përmes oficerëve të kontaktit e Interpolit, janë në funksion të një ndërlidhje sa më të shpejtë dhe në një kohë sa më të shkurtër në mënyrë që krimi të mos gjejë strehë në asnjë prej vendeve tona", tha Burgaj. Ndërsa në emër të delegacionit Çek, Jakub Frydrych, Drejtor i Skuadrës Kombëtare Antidrogë, vuri në dukje rëndësinë e takimeve të zhvilluara gjatë ditës së djeshme dhe në vazhdim me specialistë të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›