E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: "Ja si do të jetë perspektiva e turizmit në Shqipëri



Përkundër një tabloje aspak optimiste të zhvillimit të turizmit në vend, për shkak se gjatë këtyre dy viteve të fundit ka pasur mjaft probleme të rënda si me energjinë elektrike, malin e plehrave dhe të papastërtive në qytet turistike, infrastrukturën e dobët, largimin masiv të shqiptarëve për t’i bërë pushimet jashtë vendit etj., kryeministri Berisha që nga Saranda është përpjekur të japë një imazh ndryshe sa i përket zhvillimit të turizmit gjatë qeverisjes së tij. Sipas Berishës, nga Orikumi në Ksamil janë investuar dhe do të investohen gjatë këtyre viteve mbi 200 milionë euro për një Sarandë dhe për një breg europian. “Në qoftë se do të kishte një emër të dytë kjo qeveri dhe Sali Berisha, do të quhej premtim-mbajtësi dhe qeveria e premtimeve të mbajtura. Dua t`u siguroj se unë do të mbetem gjithnjë, për sa kohë shqiptarët më besojnë, një shërbëtor i qytetarëve shqiptarë, një besnik i palëkundur në premtimet e mia, një njeri i mbajtjes së fjalës së dhënë”, - tha kryeministri. Sipas tij, Shqipëria ka pasur ritmet më të larta në Europë në dy vitet e fundit në rritjen e turizmit. “Në të gjitha agjencitë prestigjioze turistike dhe mediat ndërkombëtare e kanë renditur Shqipërinë si nga destinacionet turistike më të preferuara. Në krye të preferencës shqiptare qëndron Saranda me bukuritë e saj përrallore, me infrastrukturën dhe mikpritjen e saj”, - tha kryeministri. “Ne, - vijoi më tej kryeministri Berisha, - presim që këtë vit të tejkalojmë dyfishimin e turistëve të ardhur krahasuar me verën e vitit të kaluar. Kryeministri tha se duke pasur rritjen e turizmit, fuqizimin dhe zhvillimin e tij si një nga objektivat më madhorë, si potencialin më kryesor për zhvillimin e vendit dhe shkëputjen e tij nga problemet e së shkuarës garantoi se qeveria do të mobilizojë fonde të mëdha në mënyrë që t`i shndërrojmë brigjet tona, pse jo edhe malet e këtij vendi, në gjeneratorë të mëdhenj të pasurimit të qytetarëve shqiptarë”.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›