Kuvendi i Shqipërisë reagon ndaj akuzave të Braçes
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga deputeti i PS-së, Erion Braçe. Në një deklaratë për shtyp, Kuvendi ka dhënë shpjegime rreth kërkesës për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, ndërkohë që është interesant fakti se nuk ka pasur një shpjegim ndaj kërkesës për procedim penal të deputetit Lulzim Basha. “Në përmbushje të nenit 118, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kryetarja e Kuvendit ka njoftuar deputetët në seancën plenare më të parë, lidhur me kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm “Për autorizim për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu”, ka vënë në dijeni menjëherë deputetin Mediu, si dhe ka mbledhur Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke u vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve kërkesën e mësipërme. Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit është duke shqyrtuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, sikurse edhe në rastet e tjera, me vullnetin e palëkundur e të shprehur, për t’iu përgjigjur pozitivisht çdo kërkese për autorizim për procedim penal ndaj secilit prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, - thuhet në një deklaratë për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë.
5 Maj 2008