E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martin Shulz: “Jam i befasuar nga PS-PD për ndryshimin e Kushtetutës”



Kryetari i grupit socialist në Parlamentin Europian, Martin Shulz, ka deklaruar se ka mbetur mjaft i befasuar nga bashkimi i votave të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës. Shulz tha se ndryshimi i Kushtetutës duhej të ishte bërë më i maturuar dhe pasi amendimet kushtetuese të ishin diskutuar më gjerësisht. “Duke qenë në pozicionin e kryetarit të grupit socialist në Parlamentin Europian, kam mbetur i befasuar nga sjellja e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste përsa u takon ndryshimeve të Kushtetutës. Në fakt, çështja e rëndësishme e ndryshimeve të Kushtetutës duhet të diskutohet më gjerë”, - tha Shulz. Ai shprehu mbështetjen e grupit të europarlamentarëve socialistë dhe inkurajoi kërkesën e LSI-së për organizimin e referendumit. “Meqenëse Kushtetuta e Shqipërisë është miratuar me referendum popullor, atëherë dhe modifikimet e saj duhet të bëhen po me referendum, gjë që e kërkon një grup deputetësh shqiptarë dhe që mbështetet nga grupit ynë socialist në Parlamentin Europian. Meqenëse Kushtetuta është miratuar me referendum dhe amendimet që i janë bërë asaj kanë të bëjnë me substancën e Kushtetutës, mendoj se dhe modifikimet e ndryshimet e bëra në të duhet të bëhen po me referendum. Shpreh habinë se si një maxhorancë ndryshon kushtetutën e miratuar nga populli dhe nuk mbështet iniciativën e një grupi deputetësh për referendum! Iniciativë kjo, e cila mbështetet edhe nga grupi ynë socialist në Parlamentin Europian. Mendoj se është në traditën kushtetuese europiane referendumi, edhe pse disa shtete nuk mbajnë referendume, si p.sh Gjermania, e cila nuk e ka në traditë këtë, prandaj në rastin e Shqipërisë procesi i hartimit të Kushtetutës, që u përfshi në debate të shumta, në përfundim iu drejtua popullit për votim dhe miratim me referendum. Mendoj se ndryshimet e bëra në kushtetutë, kur miratohen nga shumica e popullit, është shprehja më e mirë e qëndrueshmërisë së tyre”, - u shpreh kryetari i Grupit Socialist në Parlamentin Europian, Martin Shulz.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›