LSI: Deputetët socialistë të reflektojnë pas deklaratës së Shulzit
LSI-ja ka reaguar menjëherë pas deklaratës së kreut të grupit socialist në Parlamentin Europian, Martin Shulz. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp tha se “Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh mirënjohjen e saj për socialistët europianë, që nëpërmjet liderit të tyre në Parlamentin Europian, z. Martin Shulz, shprehën mbështetjen e tyre të plotë për kërkesën e deputetëve shqiptarë për mbajtjen e referendumit për ndryshimet e kushtetutës, si një detyrim i patjetërsueshëm i Kuvendit të Shqipërisë për të mos cenuar legjitimitetin e të gjithë sistemit tonë demokratik, që është votuar nga populli shqiptar me referendum popullor. Mbështetja e grupit socialist në Parlamentin Europian për popullin shqiptar në këtë moment sfidues për demokracinë dhe dhunimin e Kushtetutës së Shqipërisë, është i një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mbrojtjen e demokracisë, themeleve të shtetit të së drejtës, dhe ruajtjen ekuilibrave dhe kontrollit ndërmjet pushteteve si dhe me mbrojtjen e të drejtës së popullit për të vendosur e dhënë verdiktin e tij për ndryshimet e Kushtetutës së miratuar nga vetë ai me referendum”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së u bëri thirrje deputetëve të Partisë Socialiste që të dëgjojnë apelin e bërë nga europarlamentarët socialistë si dhe të reflektojnë duke firmosur nismën për referendum e të mos bëhen pengesë që populli të thotë fjalën e tij dhe të vendosë për kushtetutën e vendit.
5 Maj 2008