E Diel, 1 Nëntor 2026

Edukimi financiar, guvernatori Fullani leksion punonjësve të OJF-ve



Formimi financiar i publikut është një nga hapat që Banka e Shqipërisë po ndjek për të ndihmuar në organizimin financiar të jetës së përditshme të njerëzve. Për njohjen e funksioneve kryesore të BSH-së, gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti do të zhvillohen seminare njohëse. Leksionet që do t’u jepen punonjësve socialë synojnë arritjen e një grupi sa më të zgjeruar njerëzish, kryesisht tek ata që kanë kontakt me punonjësit socialë. Gjatë kësaj periudhe, rreth kësaj teme janë zhvilluar takime me grupe studentësh, mësuesish, nxënësish, përfaqësuesish të medias, në kuadrin e programit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, ideuar dhe lançuar vitin që shkoi. Ndërkaq, guvernatori, Ardian Fullani ka organizuar një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare të fushës së edukimit dhe çështjeve sociale, ku u prezantua broshura “Planifikoni të ardhurat, ndërtoni të ardhmen tuaj”. Në takim u diskutua rreth produkteve të ndryshme dhe shërbimeve që bankat ofrojnë në Shqipëri, apo rreth mundësive që njerëzit kanë për të investuar. Synimi i politikës monetare është administrimi i kërkesës së brendshme, ndërsa depozitat lidhen me stabilitetin e sistemit bankar. BSH-ja e gjykon edukimin e përgjithshëm të popullatës si jetik dhe të domosdoshëm. Broshura “Planifikoni të ardhurat, ndërtoni të ardhmen tuaj”, është ndërtuar mbi koncepte që lidhen përkatësisht me dobishmërinë e mbajtjes së buxhetit personal, përparësitë e përdorimit të llogarive bankare, alternativat për kursim apo për investim të të ardhurave, si dhe mundësitë për financim, duke u bërë e dobishme në jetën financiare të secilit apo krijimin e një kulture ekonomike personale për administrimin e mirë e të mençur të të ardhurave vetjake dhe familjare.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›