E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK-ja e Korçës: “Berisha të shkarkojë Gurakuqin e Bushatin”



Kryetari i PDK-së, Ndoka, i shoqëruar dhe nga deputetë të Grupit Parlamentar Demokristian, gjatë aktivit të PDK-së në Korçë deklaruan se kjo forcë politike jo vetëm nuk është e përçarë, por zhvillimet e fundit vetëm sa kanë evidentuar mbështetjen e fortë politike si nga anëtarësia ashtu edhe nga nivelet më të larta drejtuese të partisë. Ndoka i informoi demokristianët korçarë lidhur me zhvillimet e fundit brenda PDK-së dhe situatën e re të krijuar në të, duke i cilësuar ata të padëshiruar. Sipas tij, në momentet kulmore të rritjes, autoritetit dhe mbështetjes kombëtare e ndërkombëtare për partinë, PDK u ndodh nën një trysni të madhe të disa lobeve politike, ku segmente të caktuara të politikës shfrytëzuan ambiciet personale dhe krizat e identitetit politik të ndonjë zyrtari demokristian për të krijuar një tymnajë propagandistike kundër saj, strukturave drejtuese, simboleve dhe vlerave që PDK-ja përfaqëson. "Kryetari i Grupit Parlamentar dhe njëri nga zëvendësministrat tanë përfaqësues në qeveri regjistruan në gjykatë një parti tjetër politike konkurruese me PDK-në. Ata e bënë zgjedhjen e tyre. Ne, dje, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, vendosëm heqjen e mandatit që ata padrejtësisht dhe jashtë moralit politik mbajnë në qeveri”. “Të njëjtin qëndrim, - theksoi më tej Ndoka, - mbajtëm edhe për një koleg tonin, të cilit ne i besuam përfaqësimin në nivelin më të lartë të Diplomacisë Shqiptare. Deklaratat denigruese të tij në media ndaj PDK-së dhe tentativat e papranueshme për të përdorur siglën dhe simbolet e PDK-së për pazare kafenesh, janë të papranueshme dhe të dënueshme”. Më tej Ndoka informoi të pranishmit për thirrjen e Kongresit të PDK-së më datë 8 maj. “Filozofia jonë nuk është përjashtimi, por bashkimi i njerëzve që ndajnë me ne të njëjtat vlera dhe të njëjtin vizion politik. Por, PDK-ja në asnjë rast nuk mund të mbetet peng i individëve që janë të gatshëm të bëjnë pazare në kurriz të PDK-së dhe të ardhmes së saj politike”, - tha Ndoka. Aktivi i demokristianëve korçarë dha mbështetje të plotë për vendimet e marra nga mbledhja e Këshillit Kombëtar. Ato dënuan sjelljen politike të 2 zëvendësministrave që për PDK-në tashmë janë ish-zëvendësministra dhe i kërkuan kryeministrit Berisha t’i shkarkojë. Ata deklaruan mbështetjen të plotë ndaj kryetarit të PDK-së dhe forumeve qendrore të partisë. Konferenca rizgjodhi z. Ilo Jatagani si kryetar të PDK-së, dega Korçë.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›