Vrau një person e plagosi dy vëllezër me thikë për një femër
TIRANË- Vrasja e Fatjon Çelës në lagjen "Ali Demi" dhe plagosja e dy vëllezërve Klodian e Taulant Allmuça, nga Erion Duda në muajin qershor të këtij viti, dyshohet se ka ndodhur, pas një grindjeje për motive femrash mes të dëmtuarve dhe të akuzuarit Duda. Në këtë përfundim ka arritur organi i akuzës në kryeqytet, pas përfundimit të fazës hetimore në lidhje me ngjarjen përkatëse. Dosja është dorëzuar pranë Gjykatës së Tiranës, ndërsa pritet që procesi të shqyrtohet nga Sokol Tona. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë prokurorisë së kryeqytetit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë. Sipas kërkesës për gjykim me nr. 2002 që ndodhet tashmë në zyrën e gjyqtarit Tona, i pandehuri Erion Duda mbrëmjen e 20 qershorit është konfliktuar me dy vëllezërit Klodian e Taulant Allmuça dhe shtetasin Fatjon Çela. Si pasojë e këtij konflikti të nisur katër ditë më parë, i pandehuri Duda i ka qëlluar tre shtetasit me thikë, duke shkaktuar vdekjen Fatjon Çelës dhe plagosjen e dy vëllezërve. Vdekja e Çelës, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme (në mushkëri) ku ishte qëlluar dy herë me thikë nga i pandehuri Duda. Vetë i pandehuri, sipas kërkesës për gjykim, ka pranuar krimin duke rrëfyer të gjithë ngjarjen e katër muajve më parë, të filluar në një nga PAB-et e kryeqytetit, për të vazhduar ditën e ngjarjes në një lokal në lagjen "Ali Demi" ku edhe banonin të dëmtuarit. Pas ngjarjes, ku mbeti i vdekur në Spitalin Ushtarak Çela dhe u mjekuan si pasoje plagosjes dy vëllezërit Allamuça, i akuzuari, është vetëdorëzuar në polici, bashkë me avokatin e tij, dy ditë pas ngjarjes. Ky vetëdorëzim u krye në formë marrëveshjeje për lehtësimin e pozitës së tij në gjykim, i cili pritet të fillojë nga java e ardhshme pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet.