PS: Berisha të dorëzojë Mediun dhe Bashën te drejtësia
Selia rozë ka akuzuar qeverinë për mungesë efiçence në zbatimin e strategjisë për luftë kundër korrupsionit
Në një kohë kur përfaqësuesit e shteteve mike në vendin tonë kanë shtuar presionin ndaj qeverisë për të zhveshur nga imuniteti çdo zyrtar të lartë, Partia Socialiste i kërkon kryeministrit Sali Berisha t'i hap rrugë organeve të drejtësisë për të hetuar dhe për të gjykuar të lirë ministrat e tij, të akuzuar për korrupsion. Sipas deputetit socialist, Sajmir Tahiri, ky do të ishte hapi i duhur që duhet të kryente kreu i qeverisë si kundërpërgjigje të shqetësimit që kanë shprehur partnerët ndërkombëtarë jo vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, por edhe nëpërmjet raport-progresit të Komisionit Evropian për sa i përket fenomenit të korrupsionit.
Sipas tij nuk mjafton vetëm retorika e kryeministrit për të treguar vullnetin për të luftuar korrupsionin si sëmundjen kronike të demokracisë shqiptare, por edhe veprat konkrete dhe kjo për PS-në duhet të nisë me aktin e dorëzimit të dy ministrave, Fatmir Mediu dhe Lulëzim Basha drejtësisë. "Nuk ka asnjë dyshim se kjo mazhorancë është përgjegjëse për mbjelljen e kulturës së pandëshkueshmërisë duke strehuar pas imunitetit parlamentar dhe karriges së ministrit dy të kërkuar nga drejtësia, pikërisht për korrupsion. Sali Berisha duhet të dorëzojë 2 ministra para drejtësisë për të dëshmuar vullnetin e tij në luftën kundër korrupsionit", - tha Tahiri.
Duke iu referuar pikërisht progresraportit, selia rozë ka evidentuar edhe një herë se pavarësisht zotimeve mediatike për tolerancë zero ndaj korrupsionit, ai vijon të mbetet një problem i vazhdueshëm për shoqërinë shqiptare. Dhe kjo për socialistët vetëm si pasojë e mungesës së efiçencës në zbatimin e ligjeve dhe strategjive kundra korrupsionit. "Korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz. Përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin kanë mbetur në fazën e hartimit të strategjive. Mungojnë mekanizmat e aplikimit të tyre, plani kohor si dhe indikatorët e matjes së rezultateve konkrete. Shkalla e dënueshmërisë për korrupsion mbetet e ulët, e për më tepër kultura e pandëshkueshmërisë është mbizotëruese.
Përfundimi i çështjeve gjyqësore për korrupsion, pavarësisht pozicionit të personave të përfshirë, do të shërbejë si indikator", - tha Tahiri në emër të Partisë Socialiste, duke theksuar në të njëjtën kohë se Sali Berisha, jo vetëm që është i paaftë për të luftuar korrupsionin, por nuk ka as vullnet për ta bërë një gjë të tillë. Nisur edhe nga mesazhet që kanë përcjellë ditët e fundit diplomatët e huaj për situatën e korrupsionit në vendin tonë, PS-ja i ka bërë thirrje kryeministrit që të marrë masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin, duke e filluar nga vetja dhe familja e tij.