E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jemi në krizë. Rritem rrogat para kohe

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se shpërblimi do të shpërndahet brenda disa ditëve. Ndërsa paga do të merret në muajin Janar


TIRANË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka pranuar dje në mbledhjen e qeverisë se nuk ka paga për administratën këtë muaj, duke e justifikuar këtë fakt me disa procedura ligjore që duhet të respektohen. Madje, po për herë të parë, kreu i ekzekutivit, ka pranuar se në Shqipëri ka krizë ekonomike dhe se rritja e rrogave për këtë vit ishte e parakohshme.


"Natyrisht nuk mund të injorohen vështirësitë e krijuara nga kriza nga njëra anë dhe nga fakti tjetër se për shkak të zgjedhjeve, në mënyrë që të mos mund të lidhej rritja e rrogave dhe pensioneve me votën, ne u detyruam kësaj radhe dy muaj para të avanconim rritjen e rrogave dhe pensioneve.


Pra, normalisht rritja bëhet një herë në vit dhe i takonte që të fillonte në 1 korrik. Këtë vit për të ruajtur etikën në raportin e pagave me zgjedhjet ne u detyruam t'i japim dy muaj para", - tha dje Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.


Përveç administratës, duke e lidhur situatën me disa "procedura ligjore" (që deri më tash nuk kanë qenë të ndryshme nga ato të viteve të kaluara) Kryeministri Berisha zhgënjeu edhe një kategori tjetër, pensionistët, duke premtuar për këta të fundit shpërblim prej 2500 lekësh, jo 5000 lekë të reja si vitet e tjera.


Urdhri


Gazeta "Shekulli" botoi dy ditë më parë të plotë një urdhër të Ministrit të Financave, Ridvan Bode, sipas të cilit, urdhëroheshin të gjitha degët e thesarit që të bllokonin plotësisht përdorimin e fondit të veçantë për të gjitha institucionet, deri në daljen e VKM-së, i cili do të përcaktonte mënyrën e përdorimit të këtij fondi.


Krahas saj, po me porosi të drejtorit të thesarit, Bode sqaronte edhe njëherë se paga e muajit Dhjetor 2009 (mujore ose 15-ditëshit të parë ose të dytë) do të ekzekutohej vetëm në Janar 2010.


Përballë një fakti të pakundërshtueshëm tashmë, kryeministri i vendit Sali Berisha ka luajtur dje me fjalët teksa në njërën anë është shprehur se paga nuk shtyhet për në muajin Janar, ndërsa në anën tjetër ka siguruar se paga e muajit Dhjetor do të merret pikërisht në Janar. "Qeveria nuk ka bllokuar asnjë pagë, por qeveria ka pranuar të respektohen afatet ligjore në dhënien e pagave.


Kështu që asnjë punonjës nuk ka, që nuk e ka marrë pagën. Të gjithë do të marrin pagën në janar siç duhet. Shpërblimin do ta marrin gjatë këtyre ditëve në mënyrë që të mund të festojnë vitin e ri më mirë në shtëpitë e tyre.


Pra, ky është një dekret që ne miratojmë sot, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi menjëherë dhe të mund të lëvrohet kartolina e vitit të ri që qeveria u dërgon pensionistëve dhe qytetarëve", - tha dje Berisha.


Kryeministri propozon zëvendësimin e llambave nëpër institucione: "Harxhojnë shumë"

Rritja e energjisë, Berisha: Frikni dritat në zyra


TIRANË - Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë për rritjen me 13 % të çmimit të energjisë është konsideruar shpenzim i madh nga kryeministri Sali Berisha për institucionet buxhetore.


Ndaj, dje, në fillim të mbledhjes së qeverisë, duke ngritur kokën drejt llambave inkandeshente, kreu i ekzekutivit i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm që të marrë masa drastike, me qëllim që llambat të zëvendësohen. Madje, sipas Berishës, kjo procedurë duhet të ndiqet edhe në spitale e shkolla, me qëllim që të kursehet energji.


"Zoti sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në bashkëpunim me Sekretarët e Përgjithshëm të të gjitha institucioneve do të ushtroni kontrollin më të rreptë, të zhduken me urgjencë të gjitha llambat e zakonshme dhe të zëvendësohen ato.


Llambat inkandeshente nuk mund të jenë më në asnjë institucion shtetëror. BE-ja që është nga ana tjetër dhe bashkimi i të pasurve të botës i ndaloi ato llamba, me vendim të veçantë.

Ne kemi marrë një vendim për këto llamba, por këto nuk mund të ekzistojnë më zotërinj Ministra në asnjë shkollë të Shqipërisë, në asnjë spital të Shqipërisë në asnjë institucion të vendit.


Zëvendësimi tyre me urgjencë është kushti i të gjitha kushteve për të frenuar rritjen e shpenzimeve administrative. Mos të detyrohemi pastaj të veprojmë në mënyra shumë të rrepta", - tha Berisha, duke nënkuptuar në këtë rast deri në fikje dritash.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›