Ylli: Dëmshpërblimi i plotë dhe i menjëhershëm
12/01/2010 Inspektimi në Shkodër
“Dëmshpërblimi për banorët e zonave të përmbytura do të jetë i plotë dhe i menjëhershëm”. Kështu ka bërë me dije drejtori i Politikave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Ylli, i cili inspektoi dje zonat e përmbytura në Shkodër. Sipas tij, situata në veri të vendit është drejt përmirësimit, ndërsa shkarkimet nga HEC-et janë ulur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, prurjet kanë arritur dje në 500 metra kub në sekondë në Fierzë, ndërsa shkarkimet e ujit në të tre hidrocentralet janë ulur. Kjo ka sjellë një përmirësim të nivelit në liqenin e Fierzës, i cili ka rënë në 291 metra, duke qenë 5 metra larg kapacitetit maksimal të liqenit. Ndërsa në Koman niveli i ujit vlerësohet 170 metra dhe në Vaun e Dejës 74.4 metra. Sipas Yllit, menaxhim nga strukturat qeveritare ka qenë i shkëlqyer dhe banorët kanë treguar mirëkuptim të plotë për situatën. Situata po ndiqet me kujdes minutë pas minute nga ekspertët në terren dhe drejtuesit e sistemit energjetik shqiptar. Paralelisht, po mbahet edhe një nivel i lartë i prodhimit të energjisë. Sipas të dhënave zyrtare, në shkallë vendi konsumohen aktualisht rreth 20 milionë kilovat orë energji. KESH-i vazhdon gjithashtu, eksportin dhe depozitimin e energjisë elektrike.