Prishtinë: Arrestohet një person lidhur me rastin Bllaca
PRISHTINE- Policia nga departamenti i EULEX-it, ka arrestuar personin e quajtur Driton H. i cili dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në dy tentime për vrasje, lidhur me rastin e Nazim Bllacës. Arrestimi është kryer sipas urdhërit të gjyqtarit të EULEX-it, si vazhdimësi e të ashtuquajturit “rasti Bllaca”. Driton H. ngarkohet për pjesëmarrje në dy tentim vrasje, njëra që dyshohet se ka ndodhur në nëntor 1999 në Prishtinë dhe tjetra në qershor të vitit 2000 në Ferizaj. “Hetimet janë duke vazhduar nga policia e EULEX-it nën mbikëqyrjen e Zyrës së prokurorit special”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të këtij misioni. Nazim Bllaca është arrestuar pasi ka pranuar se është autor i një vrasjeje dhe se ka marrë pjesë edhe në 17 raste të tjera që nga vrasjet, rrahjet dhe shantazhet. Ai nuk ka dashur ta publikojë emrin e të vrarit, duke thënë se kjo është e ditur për prokurorinë e EULEX-it. “Kam punuar për strukturat e SHIK-ut prej vitit 1999 deri më 2003 dhe eprorë të mi kanë qenë Azem Syla dhe dhëndri i tij Shpresim Uka. Nga ky i fundit, i kam marrë emrat se kush duhet të ekzekutohet”, ka thënë Bllaca. Ai, gjithashtu, ka bërë të ditur se i janë ofruar edhe shuma të mëdha parash, prej 400 mijë deri në 600 mijë euro, vetëm e vetëm që të mos i bëjë publike këto informata.(m.a/BalkanWeb)