Berisha: Jemi të vendosur të flasim me gjuhën e veprave dhe premtimeve të mbajtura, jo me fjalë boshe
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon, Kryeministri Berisha u ndal sot në rrethin e Pogradecit, në fshatin Stropck. Kryeministri, fillimisht mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të projektit të kanalizimeve të ujërave të zeza për këtë zonë, një investim ky i buxhetit të shtetit, me vlerë 6 milionë lekë.
Më pas, në fjalën e mbajtur me banorë të zonës, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Shpreh gëzimin dhe kënaqësinë time që sot në këtë fshat ne inaugurojmë punë publike që ndryshojnë për mirë jetën tuaj. Ne inauguruam rrugën, rreth 8 km që lidh të gjithë zonën me aksin kombëtar, inauguruam kanalizimet e fshatit tuaj, kemi inauguruar kohë më parë shkollën.
Unë ju garantoj se qeveria ime do të financojë të gjitha projektet që kryetari dhe këshilli juaj do të hartojnë për të përmirësuar kushtet e jetesës në këtë fshat dhe në mbarë komunën e Dardhasit.
Në një hark të shkurtër kohor investimet në komunën tuaj janë shumëfishuar krahasuar me periudhat e mëparshme. Mbështetje kanë ndier edhe fermerët e drurëve frutorë dhe blegtorisë dhe kjo mbështetje do të vijë gjithnjë në rritje. Komuna e Dardhasit është një komunë me potenciale të mëdha dhe të gjithanshme, me potenciale në prodhimet e saj bujqësore, por mbi të gjitha është komunë arsimdashëse. Kjo komunë ka tre kopshte për fëmijë. Le të vijë dhe të marrë shembull ish kryetari i bashkisë së Tiranës. Në një lagje me 30 mijë banorë në Tiranë, nuk janë më shumë se 2 kopshte, sepse ai ka një problem me kopshtet dhe me shkollat, ka probleme dhe me përqindshin e truallit, sepse ato nuk i japin 15 për qind, siç japin pallatet. Por ne do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe ju premtoj se do të financojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve të brendshme të këtyre fshatrave, do të rikonstruktojmë shkollën ekzistuese, sikundër, do të ndërtojmë shkollë tjetër, kopshte, sepse më bëjnë me dije se 2 prej këtyre kopshteve janë në ambiente me qera. Drejtuesit tuaj vendorë të përcaktojnë truallin dhe ministria e Arsimit do të financojë plotësisht projektin, për ndërtimin e një kopshti nga më modernët në këtë fshat.
Ne jemi të vendosur të ndërtojmë infrastrukturë moderne kudo në Shqipëri. Ndërsa vija këtu, kryetari juaj më shpjegoi sistemin modern të kanalizimeve. Në këtë aspekt, ky fshat barazohet për sa i përket një sistemi jetik shumë të rëndësishëm, me çdo lagje qyteti, me rrugët gjithashtu, me shkollën, kopshtet. Ne duam që ju, nga pikëpamja urbane, të keni ato kushte që kanë banorët e qyteteve. Ne jemi të vetëdijshëm se jeta në këto zona është e vështirë, por ne si qeveri do të bëjmë çdo gjë për t’ua lehtësuar atë.
Vitin e ardhshëm, data një maj shënon dyfishimin e pensioneve në fshat. Kjo përbën stacionin e parë, pasi stacioni i dytë do të jetë objektivi se nuk do të ketë asnjë pension në fshat nën 100 dollarë dhe më pas, barazimin e pensioneve të fshatit me aty të qytetit. Gjatë vitit që vjen, për këtë zonë, do të ndodhë një zhvillim madhor, ndërtimi i autostradës Qafë Plloc- Qukës, që është një nga veprat më të rëndësishme të vendit. Kjo vepër shkurton distancën Korçë-Tiranë në mënyrë të ndjeshme. Por kjo vepër zbulon bukuritë mahnitëse të Mokrës, sikundër urbanizon këtë krahinë, e cila ka nevojë jetike për një urbanizim sa më të mirë.
Ne jemi të vendosur të flasim me ju me gjuhën e veprave, sepse ju keni më shumë nevojë për rrugë, ujësjellësa, kanalizime, shkolla, tregje, për mbrojtjen e prodhimeve tuaja nga kontrabanda, për mbështetje. Këtu e bazojmë ne politikën tonë ndaj zhvillimit të fshatit dhe besoj se e kemi faktuar për të gjithë fermerët shqiptarë këtë.
Këtu inauguruam një rrugë, por në çdo komunë, kudo që shkoj, ne inaugurojmë rrugë, inaugurojmë shkolla, kanalizime, kanale vaditëse, shkolla, ujësjellës. E pyeta kryetarin e komunës suaj për gjendjen e ujësjellësit në fshatin tuaj dhe më informoi se po bëjnë studimin përkatës dhe unë i premtova se qeveria do ta financojë këtë projekt, për furnizimin e zonës me 24 orë ujë. Kjo është kontrata jonë me ju. Ne kemi një kontratë që investojmë, të investojmë dhe vetëm të investojmë.
Në tre vjet, ne kemi investuar 1.4 miliardë lekë në vepra dhe objekte në të katër anët e vendit. Unë ju garantoj se mandatin tjetër këto investime do të dyfishohen, nuk do të jenë më 1.4 miliardë lekë, por do të jenë 2.8 miliardë.
Gradualisht po shkohet drejt zgjedhjeve. Ne po bëjmë çdo përpjekje që zgjedhjet të jenë zgjedhjet më të mira, më të ndershme në historinë e këtij vendi. Unë kam besim tek ju se, mes alternativës së veprave, të rrugëve, të shkollave, të kanalizimeve, të pensioneve, ujësjellësve dhe alternativës së llafeve boshe, ju do të zgjidhni të parën, sepse ajo është alternativa e halleve dhe derteve tuaja, është alternativa e jetës suaj të përditshme, alternativa e fëmijëve tuaj, e të ardhmes suaj.
Vendi ka një opozitë, por një opozitë e cila nga mëngjesi në darkë tregon me gisht dhe nuk tregon asgjë. Akuzon dhe vetëm shpif, megjithatë mençuria është mençuri dhe kam bindjen e thellë se mes alternativës së veprave dhe fjalëve boshe, ju do të zgjidhni alternativën e veprave.
Do ta mbyll këtë fjalë duke ju përshëndetur dhe duke siguruar kryetarin e Komunës suaj dhe deputetin e zonës suaj tuaj se qeveria do të financojë të gjitha projektet të cilat përmirësojnë jetën tuaj”.
...