Nisin sot aplikimet për kuotat e lira në universitete
TIRANE-Të gjithë studentët që kanë aplikuar formularin A3 dhe nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi, duhet të tërheqin sot për plotësim formularin A4, të cilin duhet ta dorëzojnë në drejtoritë arsimore rajonale deri më 28 nëntor. Ky është udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për "plotësimin e kuotave të parealizuara të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në institucionet e Arsimit të Lartë Publik për vitin akademik 2008-2009". Këto kuota të parealizuara të pranimeve në ciklin e parë të studimeve në vitin akademik, do të rishpërndahen sipas universiteteve dhe disa programeve të studimit. MASH përcakton se kanë të drejtë të aplikojnë me formularin A4 të gjithë ata që kanë kryer detyrimet e Maturës Shtetërore në vitin 2008, dhe nuk janë të regjistruar në asnjë program studimi të ciklit të parë. Aktualisht kuota të parealizuara studimi ka: Universiteti i Tiranës (76 kuota), Universiteti Bujqësor i Tiranës (142 kuota), Universiteti i Elbasanit (373 kuota), Universiteti i Gjirokastrës (627 kuota), Universiteti i Korçës (530 kuota), Universiteti i Shkodrës (411 kuota), Universiteti i Vlorës (574 kuota).
(d.b/BalkanWeb)