Berisha: Lufta kundër korrupsionin, “Leva e Arkimedit” e buxheteve tona të mëdha
Po investojmë në mbarë Shqipërinë për shkolla moderne, me standarde europiane, me kabinete informatike dhe me 25-30 nxënës në klasa
Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e shkollës 9 vjeçare në fshatin Pretushë, në rrethin e Pogradecit, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milionë lekë të vjetra. Kryeministri përgëzoi drejtuesit vendorë për këtë vendim për ngritjen e shkollës së re në këtë zonë, si nxitje për krijimin e standardeve europiane në shkolla, duke siguruar klasa me jo më shumë se 20-30 nxënës. Ndërkohë, vijoi Kryeministri, në shkollat e kryeqytetit klasat janë me 40-50 nxënës dhe kjo, jo për faktin se nuk ka fonde të ndërtohen shkolla të reja, pasi qeveria i ka dhënë ato dhe ka siguruar kredi 22 milionë euro. “Ne kemi dhënë fondet më të mëdha për bashkinë e Tiranës dhe, nga 8 shkolla që duhet të ndërtonte kryetari, ka ndërtuar vetëm dy dhe ato, në periferi të Tiranës”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri tha se alternativa e qeverisë është alternativa që bazohet në vepra dhe premtime të mbajtura, ndërkohë që nënvizoi se “ka edhe një alternativë tjetër që shëtit nëpër Shqipëri, alternativa e llafeve, e sharjeve, e shpifjeve, trillimeve”.
Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar luftën kundër korrupsionin, duke e konsideruar atë si “leva e Arkimedit” për buxhetet e mëdha të qeverisë. “Lufta kundër korrupsionit bëri të mundur që të dyfishojmë rrogat e 44 mijë arsimtarëve, 12 mijë infermierëve, 4 mijë mjekëve, të dyfishojmë pensionet, në maj të vitit që vjen, për 170 mijë pensionistë në fshat, lufta kundër korrupsionit bëri të mundur që ne të investojmë në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, kopshte, në zonat e Shqipërisë 1.4 miliardë lekë. Unë ju garantoj se mandatin tjetër do të dyfishojmë këto investime”, vijoi Kryeministri.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Shpreh kënaqësinë time që jam sot këtu dhe që inaugurojmë së bashku një shkollë 9 vjeçare, krahas shkollës ekzistuese të mirëmbajtur, në të cilën fëmijët tuaj do të ulen në klasa të mira, me nga 25 nxënës në klasë. Kryetari i Komunës më informoi se ndërtimi i shkollës u bë i domosdoshëm sepse klasat ishin të mbingarkuara me nxënës. Unë ju përgëzoj për këtë. Nuk duhet të ketë më shumë se 20-30 nxënës në një klasë. Më vjen shumë mirë që ne inaugurojmë një shkollë moderne, ashtu siç po bëjmë në mbarë Shqipërinë. Së bashku me buxhetin e vitit që vjen ne ndërtojmë 300 shkolla të reja, kemi rindërtuar rreth 700 shkolla ekzistuese. Nga muaji mars i vitit që vjen, 2200 shkollat e vendit do të kenë kabinetet e informatikës dhe nga muaji maj i vitit që vjen mësuesit e fëmijëve do të kenë një rrogë 2 herë më të lartë sesa e kishin në vitin 2005.
Ne u zotuam 3 vjet më parë se do të dyfishojmë rrogat e mësuesve, sepse arsimi, shkollimi i mirë i fëmijëve tanë, përbën kushtin më përcaktues për një të ardhme të ndritur. Ne kemi premtuar të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe ne do të vazhdojmë të investojmë edhe më tepër. Arsimi ka qenë dhe mbetet një përparësi madhore. E kam theksuar dhe e theksoj se ky vend, për shkak të trashëgimisë së tij, është vendi i 1001 halleve por edhe vendi i 1001 mundësive. Prandaj ne jemi të vendosur të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin, sepse ajo është “leva e Arkimedit” e buxheteve tona të mëdha, lufta kundër korrupsionit është ajo që bëri të mundur që ne të investojmë në rrugët e këtij vendi 180 miliardë lekë, kundrejt vetëm 26 miliardë që janë investuar në 4 vjet nga qeveria e mëparshme, është lufta kundër korrupsionit ajo që bëri të dyfishojmë rrogat e 44 mijë arsimtarëve, 12 mijë infermierëve, 4 mijë mjekëve, të dyfishojmë pensionet, në maj të vitit që vjen, për 170 mijë pensionistë në fshat. Është lufta kundër korrupsionit ajo që bëri të mundur që ne të investojmë në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, kopshte, në zonat e Shqipërisë 1.4 miliardë lekë, ndërkohë që së bashku me investimet e vitit 2005 arrijmë në 140 miliardë lekë. Unë ju garantoj se mandatin tjetër do të dyfishojmë këto investime.
Ne nuk mund të punojmë tokat tuaja, ne nuk mund të bëjmë projektet për fermat tuaja, por ne mund të krijojmë kushtet që atje ku jetoni ju, fëmijët tuaj të mësojnë në shkolla moderne, të keni ujësjellësa, kanalizime, rrugë të shtruara, ashtu si në qytet, të lidheni me akset kombëtare me rrugë të asfaltuara, pra t;’ju ngremë juve infrastrukturën. Unë ju garantoj se kjo qeveri e ka dhe do ta ketë një nga përparësitë më madhore zhvillimin e qëndrueshëm rural, urbanizimin dhe lehtësimin e jetesës suaj.
Kjo është alternativa jonë, alternativë e thjeshtë, që bazohet në vepra, në premtimet e mbajtura. Ka edhe një alternativë tjetër që shëtit nëpër Shqipëri, alternativa e llafeve, e sharjeve, e shpifjeve, trillimeve. Unë ju ftoj juve që kur Kryetari i PS-së të vijë tek ju, priteni mire dhe pyeteni; zoti kryetari i Bashkisë së Tiranës, sa nxënës ka në klasat e kryeqytetit? Janë nga 40-50 nxënës. Pse ndodh kjo? Nuk ka para të ndërtojë shkolla të reja? Jo! Paratë, qeveria i ka dhënë, janë siguruar kredi nga qeveria 22 milionë euro. Por ai nuk ka truall. Ky është problemi. Është turp që të detyrohemi të paguajmë apo të marrim me qera kafene që t’i bëjmë klasa për nxënësit në kryeqytet. Ne kemi dhënë fondet më të mëdha për bashkinë e Tiranës dhe nga 8 shkolla që duhet të ndërtonte kryetari, ka ndërtuar vetëm dy dhe ato, në periferi të Tiranës.
Është e lehtë të dalësh para njerëzve dhe të bësh retorikë boshe. Por, unë nuk kam përse t’ju porosis sepse ju jeni të mençur vet. Kokën secilit ia masni me vepra konkrete dhe jo me fjalë. Me lugën bosh kemi kaluar 50 vjet dhe nuk na duhet më kjo lugë, ne na duhet të lëmë pas atë trashëgimi të hidhur që kemi, të vendosim standarde europiane, shkolla europiane me kabinete informatike, infrastrukturë dhe rrugë të asfaltuara. Ne do të shkojmë drejt Europës si qytetar të zhvilluar. Po vazhdojmë investimet e mëdha në infrastrukturë, vitin tjetër ne do t’u ofrojmë rrugën Qafë Plloç – Qukës, duke ju krijuar mundësinë e afrimit me Tiranën. Edhe Roma nuk është ndërtuar në një ditë, ndaj dua t’ju siguroj se ne do ta ndërtojmë këtë vend me standardet më të mira dhe se shumë shpejt Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri dhe më të mirë në Europë, rrjetin e shkollave nga më modernët, ujësjellësit, kanalizimet, etj.
Unë ju garantoj investimet e këtij 4 vjeçari janë vetëm bazamenti i investimeve shumë herë më të mëdha për 4 vjeçarin që po vjen, në rast se ju votëbesoni këtë qeveri.
...