E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jemi vendi i vetëm në Europë që rrisim pagat e pensionet

Kryeministri Sali Berisha foli sërish gjatë përpara deputetëve të tij në lidhje me ecurinë ekonomike të vendit, e sidomos u përqendrua tek rritja e pagave e pensioneve.

Ky është viti i gjashtë që në Shqipëri ka një maratonë të vërtetë dhe kjo maratonë është rritja e rrogave e pensioneve, rritje që ka tejkaluar të gjitha parashikimet, rritje, e cila u shpall si parim kryesor i platformës sonë, u shpall në një kohë kur ekonomia botërore e evropiane ishte në ditët më të mira të saj, por u mbajt me vendosmëri të madhe nga ne edhe në ditët e krizës më të thellë që Europa e bota kanë njohur që nga vitet 30 të shekullit të kaluar. Kjo politikë ka pasur efektet e veta të mëdha. Në performancën e administratës shtetërore, sisteme të tëra ishin në degradim të vërtetë. Sot janë në konsolidim të vërtetë, tha Berisha.

Sot në Shqipëri nuk ka asnjë arsimtar që kërkon të largohet nga arsimi.

Sot pensionistët shqiptarë kanë konstatuar se kjo parti, mazhoranca dhe aleatët e saj kanë një ndjeshmëri të madhe ndaj halleve e derteve të tyre të përditshme. Jashtë çdo politizimi, sot kjo është mazhoranca e vetme në Europë që në 6 vjet në pushtet ka arritur të rrisë me 120 përqind pensionet e ulëta, ka mbidyfishuar ndihmën ekonomike. Faktikisht kjo është politika më aktive që një vend mund të ketë njohur me pagat e pensionet e tij.

Kriza evropiane ka pasur pasqyrimin e saj. Ekonomia shqiptare ndjeu pasojat e krizës, por nuk ra kurrë në presion.

Në katër vite të ardhurat buxhetore nga taksat e tatimet u dyfishuan.

Eksportet janë trefishuar për shkak të reformave, jo sepse kemi pasur një shpërthim gazi. Në të katër anët e vendit vazhdon gjallërimi i biznesit. Investimet e huaja po rriten e janë rritur ndjeshëm. Papunësia po bie, tha Berisha.

Kryeministri deklaroi se ekonomia po ecën përpara sepse ajo është kompetitive. Berisha sulmoi sërish opozitën.

Kjo është ekonomia më e hapur në ligje e parime, por është një ekonomi kompetitive, ekonomi në të cilën sistemi fiskal e ka bërë vendin nga më tërheqësit. Shkëmbimet ekonomike ne i kemi me vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Kemi bërë mijëra kilometra rrugë, mijëra shkolla, spitale e kopshte.

Ata që flasin për krizë greke e bëjnë këtë me keqdashje. Është për të ardhur keq që këtë e bën opozita e miliarderëve. Kjo është opozitë me defekte. Kjo opozitë nuk ka komunikim me realitetin. Nuk mund të shpallësh kurrë vepër kriminale rritjen e pagave e pensioneve. Borxhin e gjetëm 72 përqind dhe e kemi 59 përqind sot, tha Berisha.

Duke iu drejtuar deputetëve, Berisha tha: Shkoni me dinjitet tek zgjedhësit tuaj sepse kemi mbajtur premtimet tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›