Nuk tregojnë pasurinë, gjobiten 5 ish-deputetët
BLEDAR HOTI
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive gjobit 5 ish-deputetë dhe ish-zëdhënësin e Kryeministrit Sali Berisha për mos paraqitjen e deklaratës pranë këtij institucioni. Zëdhënësi i ILDKP-së, Albi Serani bëri të ditur se gjithsej janë gjobitur 11 persona për mos depozitimin brenda afatit ligjor të deklaratës së pasurisë, pavarësisht se aktualisht ata nuk mbajnë postet apo vendet e punës që kanë pasur më përpara. Ish-deputetët Rexhep Uka, Diana Çuli, Durim Lamaj, Hajrulla Paturri dhe Pashko Ujka janë gjobitur me nga 200 mijë lekë të vjetra për mos paraqitjen e deklaratës së pasurisë, përfshi edhe ato të interesave private. “Pas rakordimeve të kryera në Regjistrin Themeltar të Subjekteve Deklarues, si edhe pas komunikimit shkresor me institucionet ku ushtrojnë ose kanë ushtruar funksionet e tyre këta zyrtarë, si dhe me vetë subjektet, ILDKP ka evidentuar disa raste të mosrespektimit të afateve ligjore për subjekte, të cilët kanë mbartur funksione të ndryshme, si: ish-deputetë, drejtor drejtorie, punonjës të administratës doganore dhe të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, thuhet në njoftimin për shtyp. Ndër 6 personat e tjerë të gjobitur me po të njëjtën shumë përfshihet edhe ish-zëdhënësi i Kryeministrit, Grid Rroji, si dhe disa prej punonjës tatimorë dhe doganierë. “Ligji parashikon që pas gjobës, duhet ta dorëzojnë deklaratën dhe të paguajnë gjobën, nëse nuk e dorëzojnë deklaratën brenda 30 ditëve nga marrja e gjobës, kalohet në kallëzim penal për ‘refuzim për deklarim’”, tha zëdhënësi Serani për “Panorama”. ILDKP-ja pas kësaj mase është në pritje të reagimit të të gjobiturve dhe në rast se nuk do të reagojnë, atëherë drejt tyre mund të bëhet kallëzim penal.
Të gjobiturit
Rexhep Uka, ish-deputet
Durim Lamaj, ish-deputet,
Hajrulla Paturri, ish-deputet
Pashko Ujka, ish-deputet
Diana Çuli, ish-deputete
Ornela Macaj, D.P.Tatime
Grid Rroji, Drejtor, Këshilli Ministrave
Eva Nomani, Doganiere
Xhuliana Hysi
Sadik Bica, Regjistrues, ZQRPP
Maliq Xhebra, Drejtor, Min. Mbrojtjes