Ligji Antimafia, PD: Nuk jepet superfuqi
Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj mbron ligjin për ‘antimafian’ duke theksuar se ai nuk forcon as policinë as prokurorinë institucion, por ndryshimet synojnë të thellojnë luftën ndaj krimit të organizuar. “Nuk u jepet aspak superfuqi, sepse çfarëdolloj veprimi i tyre do të kalojë në mënyrë kategorike në testin e gjykatës dhe në gjykatë çdo individ do të duhet të provojë që pasurinë e vet e ka fituar me djersë”, tha ish ministri i Drejtësisë. Opozita e ka kontestuar projekt ligjin si antikushtetues, ndërsa maxhoranca e vlerëson dokumentin si një nga detyrat e shtëpisë që i ka vendosur KE-ja për liberalizimin e vizave. Neni i cili është kontestuar është ai sipas të cilit personat që nuk justifikojnë pasurinë, u sekuestrohet. “Individi duhet t’i referohet të gjithë mjeteve të provueshmërisë siç përcaktohet në një nga kodet baze, siç është Kodi i Procedurës Civile. Mund të provohet me dokumentacion, me dëshmitarë, me të gjitha ato mjete, nuk është ky problemi. Ajo çfarë është e ligjshme, ngelet gjithmonë e ligjshme pavarësisht të themi një iluzioni që në këtë moment shqiptarët nuk kanë qenë kaq shumë të përgatitur kohë më parë për të dokumentuar pasurinë e tyre, jo”, vijon Alibeaj.