E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jo më njerëz në administratë që shohin filxhan

Sipas tij, Shqipëria është renditur në 10 vendet me administratë më të vogël në botë.

“Ne renditemi në 10-sh e parë në botë për qeverinë e vogël. Jemi në një pozicion të lakmueshëm. Raporti Liria Ekonomike e Botës, fakton se administrata shqiptare është një nga 10 administratat më të vogla në botë dhe kjo përbën një arritje thelbësore. Por kjo kërkon që drejtuesit të heqin nga mendja se mund të shtojnë qoftë edhe një njeri të vetëm në administratë”, tha Berisha para pak çastesh.

“Çdo përpjekje për të fryrë organikat dëshmon se po bëhemi viktimë e burokracisë dhe nuk mund ta pranojmë këtë. Këtë arritje nuk mund ta kërcënojmë. Kjo administratë e vogël është promotore, zbatuese e këtyre reformave. Pra ka rritur eficensën shumë herë se sa kur ishte e fryrë. Nuk ka gabim më të rëndë që të vendosësh njerëz duke luajtur letra apo duke hedhur fall me filxhan”, shtoi ai.

Një fakt tjetër pozitiv i ekonomisë sipas kryeministrit Berisha, është edhe liria ekonomike e vendit, ku theksoi se Shqipëria ka lënë pas 12 vende të Bashkimit Evropian. “Liria ekonomike në botë ka njohur regres. Ne e kemi përmirësuar. Ndaj dhe ne, me gjithë këtë progres, është e domosdoshme që të shqyrtojmë një për një të gjitha kolonat mbi të cilat vendoset liria ekonomike. Ne në fushën e lirisë ekonomike, lamë mbrapa 12 vende anëtare të BE-së dhe kjo është një arritje e madhe. Por kjo nuk duhet të na bëjë ne euforik, por duhet të na motivojë fuqishëm, të bëjmë gjithçka për zgjerimin e saj. Shqipëria i ka shpëtuar recensionit vetëm e vetëm për shkak të modelit ekonomik të bazuar në lirinë ekonomike. Asnjë faktor tjetër nuk na ka mbrojtur ne nga kriza ekonomike botërore përveç se lirisë ekonomike”, shtoi kreu i qeverisë.

Ai tha më tej se sistemi bankar në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe ndër më solidët. Një faktor tjetër ishte edhe rritja e moshës mesatare të popullsisë dekadën e fundit. Gjatë fjalës para kabinetit qeveritar, kryeministri ka porositur dy ministritë atë të Financës dhe të Ekonomisë që të heqin barrierat për tregtinë me jashtë. “Shqipëria renditet e 72-ta për sa i përket lirisë ndërkombëtare. Të dy ministritë, ajo e Ekonomisë dhe Financave të ulen të heqin të gjitha barrierat. Lejet të hiqen sa më shumë dhe të vendoset dhe të merret modeli i vendeve që janë në dhjetëshen e parë”, shtoi ai. /Start/

                                                                                             2011-09-28 11:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›