E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jo ndryshime në Kushtetutë për interesa të Ramës

16-08-2011 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha deklaron dhe njëherë se mazhoranca do refuzojë çdo kërkesë të opozitës për ndërhyrje në nenet e Kushtetutës. Gjatë vlerësimit të raportit të ODIHR, për zgjedhjet vendore të 8 majit, Berisha tha se ky dokument nuk përmend në asnjë paragraf të tij reformën në Kushtetutë apo probleme të ligjit themeltar të shtetit. Sipas kryeministrit, nuk është normale që Kushtetuta t’i nënshtrohet ndryshimeve çdo 3 vjet, për interes të Edi Ramës. “Nuk do të kishte asgjë më qesharake dhe jo serioze në këtë vend, sesa të ndryshojë Kushtetuta çdo tre vjet, siç mendon ai që i vjen për shtat. Nuk po e personalizoj aspak çështjen me zotin Edi Rama, por e them për cilindo kush mund të jetë ky person dhe çfarëdo të jetë. Kurrë, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë në këtë mënyrë dhe nuk do të ishte më qesharake dhe jo serioze për një vend, në qoftë se do të tallej me themelet e shtetit të vet në këtë mënyrë. Përse duhet të ndryshojë Kushtetuta? Do të thoni që të ndryshojë për zgjedhjen e Presidentit, pasi e kishim më mirë. Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se ai ishte një nen krize për Shqipërinë. Çfarë ndodhi në vendin nga Kushtetuta e të cilit u mor ky nen, dhe ky nen është në Kushtetutën greke. Deri para dy vitesh kishte funksionuar. Por para dy vitesh, opozita i tha qeverisë se do ta votonte presidentin që është sot, pasi të shkohej në zgjedhje, e kështu qeveria u detyrua të shkojë në zgjedhje. Pas zgjedhjeve u votua po ky president. Kush e qortoi? Askush, sepse kjo ishte një mundësi për ta çuar vendin në zgjedhje. Pra, ky mekanizëm prodhon vetëm krizë e zgjedhje të përsëritura, ndërkohë që mekanizmi tjetër, ai që kemi vendosur, të cilin e kanë edhe italianët, gjermanët, hungarezët, çekët, nuk të çon në zgjedhje. Imagjinoni në Shqipëri ndodh ajo që nuk ndodh në asnjë vend. Presidenti nuk lihet i qetë as dy vjet e gjysmë në karrigen e tij, sepse sa kalojnë dy vjet e gjysmë fillojmë të ndryshojmë Kushtetutën, të diskutojmë të vëmë këtë apo atë, dhe fillon kështu një debat që është absolutisht i padrejtë. Institucioni është institucion. Kushtetuta përcakton se kur fillon procesi zgjedhor i presidentit. Ndaj është kapitull i mbyllur të paktën për sa kohë që të ekzistojë forca politike e qendrës së djathtë, partia demokratike”- u shpreh kryeministri. Ai garantoi se Partia Demokratike s’do pranojë kurrë të rikthejë krizat politike në zgjedhjen e Presidentit. Berisha tha se mazhoranca s’është as për zgjedhjen e presidentit nga populli. “Presidenti do të zgjidhet nga parlamenti në një republikë parlamentare”- tha më tej kryeministri Berisha.
Shehu: E pakuptimtë që kushtetuta të ndryshojë në nene, të cilat ende nuk janë provuar/Deputeti demokrat Tritan Shehu i bashkohet qëndrimeve që kundërshtojnë ndryshimin e Kushtetutës, një kërkesë kjo e socialistëve që pritet gjithsesi të zyrtarizohet. Deputeti i Partisë Demokratike, Shehu thotë se shumë prej amendimeve që iu bënë kushtetutës në vitin 2008 rezultuan të jenë pozitive ndërsa të tjerat priten ende të testohen siç është rasti i zgjedhjes së presidentit. 2012-ta, sipas tij do të tregojë produktin që do të japë ndryshimi i ligji themelor mbi zgjedhjen e presidentit të Republikës. Zoti Shehu u shpreh gjithashtu se është jo serioze ky qëndrim i ri i socialistëve nismëtarë të shprehjeve të ndryshimeve që iu bënë kushtetutës në vitin 2008. “Ndryshimi i kushtetutës është një element madhor që lidhet me stabilitetin e vendit, nuk mund të ndryshohet kushtetuta çdo ditë se dikush kërkon të ndryshojë kushtetutën”- thekson Shehu. Deputeti demokrat shprehet se do të ishte gabim trashanik kushtëzimi i reformës zgjedhore me atë kushtetuese. Ai thekson se politika duhet të nisë menjëherë nga puna për reformën zgjedhore bazuar në rekomandimet e OSBE-OHDIR-it. “Nuk ka nevojë të preket asnjë germë dhe asnjë presje për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ndryshimet e Kodit Zgjedhor duhet të bëhen sipas rekomandimeve të OSBE-OHDIR-it, nuk ka nevojë të preket asgjë në Kushtetutë”- nënvizon më tej deputeti demokrat Shehu. Ky është argumenti që jep deputeti demokrat në lidhje me propozimin e socialistëve dhe shton se s’ka garanci që Rama nuk do pendohet sërish. Deputeti demokrat Tritan Shehu, anëtar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend, sjell një argument të ri përse nuk duhet ndryshuar kushtetuta e vendit, pas pendesës së shpallur nga lideri i opozitës për ndryshimet që propozoi në ligjin themelor të shtetit në vitin 2008. “Kushtetuta është e pakuptimtë të ndryshojë në nene të cilat ende nuk janë provuar, siç është ai për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Dhe në këtë situatë kur kushtetuta e ndryshuar nuk ka dhënë provat e saj, demokratë nuk kanë asnjë garanci që Rama po bën një kërkesë serioze për të cilën nuk do të pendohet sërish më vonë”- thekson Shehu. Kjo logjikë sipas Tritan Shehut, të çon në përfundimin se Rama thjesht po ruan të njëjtën strategji kur reformat që i kushtëzoi me hapjen e kutive një vit më parë, kërkon t’i mbajë të bllokuara po me të njëjtën mënyrë duke i kushtëzuar me ndryshime në kushtetutë.
Ndryshimet kushtetuese për zgjedhjet, sipas Shehut janë të vetmet që u provuan të suksesshëm dhe ndryshimi i saj në këtë kapitull është i panevojshëm. “Koha është - thekson ai - për reformën zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”.
Sa për emrat për kandidatura të mundshme për president vitin e ardhshëm, deputeti demokrat Tritan Shehu rezervohet t’i komentojë ato.
Kampi i opozitës – Gjinushi: Rama është mësuar të rrijë kokulur, më parë t’u përgjigjet kërkesave të aleatëve/Aleati më i ngushtë i socialistëve, Skënder Gjinushi, shprehet se Edi Rama s’është i qartë në kërkesën e tij për ndryshime kushtetuese, ndërsa problemi i së majtës nuk është te ligji themeltar i shtetit, por tek vetë e majta politike, të cilën ai vazhdon ta etiketojë si pasive në aksionet politike. Duke iu referuar kërkesës ende jo zyrtare të Edi Ramës për amendim të ligjit themeltar të shtetit, kryetari i PSD-së, Gjinushi, e cilëson këtë absurde dhe të pavend. Sipas tij, problemi nuk qëndron te ligjet, por te respektimi ndaj tyre, ndërsa vë në dukje se “Kushtetuta” nuk është emergjenca për momentin. “Zgjidhja nuk është ndryshimi i ligjeve. Ne e kemi sqaruar pozicionin tonë. Shkaktare e krizës politike nuk është mungesa e deputetëve socialist në parlament, por shpërfillja që iu bën mazhoranca. Futja e socialistëve në sesionin e ri parlamentar, do të ishte absurde dhe pranimi i nënshtrimit nga Berisha. Opozita nuk e di ku e gjen kurajon kur thotë se do kthehet në Kuvend. Ky është kthim kokë – ulur, ky është kthim vetëm për të krijuar idenë se ka shanse për normalizimi se kriza nuk ka ardhur nga qenia apo mos qenia e opozitës në Kuvend, por kriza e ka emrin në Qeveri, sepse këta i kanë deformuar plotësisht tërë institucionet e rëndësishme në vend. Dhe BE, thotë që Kuvendi është kthyer në një kuvend partizan, pra në një departament i qeverise, dhe në një kuvend të tillë vetëm një opozitë pa dinjitet vlerëson se nuk ka hapësira për të”- u shpreh Gjinushi. Ai i kujton gjithashtu liderit të PS-së, Edi Rama, se PS vazhdon të ketë raporte kontradiktore me aleatët. Sipas tij, Edi Rama është përgjegjës për ngërçin e krijuar mes PS-së dhe partive politike të së majtës, çka ka rritur pasivitetin politik të opozitës në tërësi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›