E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Raporti, objektiv dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme

16-08-2011 / Gazeta 55

Shefi i mazhorancës përshëndet raportin e OSBE/ODIHR, i cili vlerëson zgjedhjet e 8 majit si më të mirat e mbajtura ndonjëherë dhe bën thirrje për nisjen nga puna të hartimit të reformës së re zgjedhore

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje raportin e OSBEODIHR për zgjedhjet e 8 majit si objektiv dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme. Drafti voluminoz prej afro 40 faqesh, analizon situatën politike para dhe pas zgjedhore, ndërsa një moment të veçantë i kushton zgjedhjeve për pushtetin vendor, të cilat u mbajtën në 8 maj. ODIHR-i thotë se zgjedhjet u mbajtën në mënyrë konkurruese dhe transparente, ndërsa procesi u shoqërua me një polarizim të madh dhe mungesë besimi mes partive politike. Duke komentuar raportin përfundimtar të ODIHR, kryeministri Sali Berisha në konferencën e tij për shtyp, tha se dokumenti i OSBE/ODIHR-it, vlerëson zgjedhjet e 8 majit si një garë tërësisht konkurruese, të ndershme dhe të lirë. “Jam këtu, për të përshëndetur dhe për të shprehur vlerësimin tim dhe të qeverisë shqiptare për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, në Republikën e Shqipërisë. Duke shprehur edhe një herë, mirënjohjen time të thellë për ata qindra vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendet e tyre që i angazhuan me procesin e monitorimit, drejtuesit kompetentë të këtij misioni, si dhe për vëzhguesit vendas, deklaroj këtu se ky raport është objektiv, ky raport është edhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme. Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë, i vlerëson zgjedhjet vendore të majit në Shqipëri si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm.
Raporti vlerëson zgjedhjet e 8 Majit si zgjedhje kompetitive. Kompetitiviteti është shtyllë kryesore e ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve. Kompetitiviteti qëndron sigurisht, para së gjithash, në të drejtën e të gjithë kandidatëve për garë elektorale dhe të qytetarëve për të marrë pjesë si të barabartë para ligjit në zgjedhje. Por kompetiviteti në Kartën e Kopenhagenit ka një element thelbësor tjetër, barazinë në burimet financiare, materiale të mazhorancës dhe opozitës. Ata që do lexojnë me vëmendje këtë raport do të gjejnë se raporti shpreh vlerësimin më pozitiv për vendimin e Këshillit të Ministrave, për të ndaluar përdorimin e të gjitha mjeteve të administratës publike në garën elektorale dhe kjo ishte hera e parë në 20 vite, që ky standard vendosej në këto zgjedhje. Raporti i referohet direkt Kartës së Kopenhagenit përsa i përket kësaj çështjeje dhe rëndësisë së saj, në karakterin kompetitiv, karakterin e lirë e të ndershëm të zgjedhjeve”- u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit ekipi i ODIHR-it vlerëson zgjedhjet transparente dhe kjo i bën një nder të madh tërë sistemit zgjedhor. Në këtë sens, Berisha vlerësoi numërimin e drejtë dhe transparent të çdo vote të hedhur në kutitë e votimit. “Kjo është një meritë e veçantë e këtij sistemi dhe në qoftë se e para dëshmon mbi të gjitha, një vullnet të hekurt politik e dyta dëshmon një funksionim të shtetit ligjor. Shteti ligjor funksionoi. Çdo votë  u hodh, u numërua, u vlerësua, u llogarit në mënyrën më transparente. Ndaj këto zgjedhje merituan të vlerësohen si zgjedhje transparente. Raporti i OSBE/ODIHR-it njeh se aspekte të reja pozitive kanë hedhur bazën për progres të ardhshëm, të rëndësishëm. Natyrisht, një garë e ngushtë siç ishte ajo e Tiranës ishte një test jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin në tërësi. Test që u kapërcye me sukses të plotë, njëlloj si në Florida, ku gara e ngushtë midis Presidentit Bush dhe Zëvendëspresidentit Al Gore hyri në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjeve në botë, gara e ngushtë e Tiranës sjell vetvetishëm nevojën e specifikimeve, të qartësimeve, por ajo që është në meritën e sistemit është se ODIHR-i thotë në një nga rekomandimet e tij që numërimi, vlerësimi e trajtimi i votave të hedhura në kuti tjetër duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor. Nuk ka asnjë qortim për validitetin, qytetarinë, legjitimitetin e tyre, përkundrazi, kërkohet të përcaktohen qartësisht me ligj të gjitha qëndrimet ndaj tyre.
Raporti që në hyrje thekson se funksionoi sistemi i garancive të integritetit të procesit të votimit. Raporti thekson se numërimi në tërësi ishte pozitiv. Ndaj edhe shprehet se zgjedhjet në Shqipëri ishin kompetitive, ishin transparente. Zgjedhjet kompetitive e transparente janë zgjedhjet e vendeve të lira, në të cilat ekziston si ligji, ashtu edhe vullneti politik për të zhvilluar zgjedhe kompetitive dhe transparente”- tha kryeministri.
Duke u ndalur te rekomandimet e ODIHR, Berisha tha në krye të tyre qëndron hartimi i reformës zgjedhore. Sipas kryeministrit kodi zgjedhor ka nevojë për përmirësime. 
“Edhe në një letër shoqëruese drejtuar qeverisë shqiptare, ekipi i këtij organizmi, shpreh vullnetin e mirë për t’u angazhuar vetë direkt në ndërmarrjen e reformës zgjedhore, në mënyrë që, ndonëse thekson se sistemi zgjedhor i Shqipërisë jep mundësi për zgjedhje të standardeve demokratike ndërkombëtarë, sërish ka nevojë për përmirësime. Pra, rekomandimi i parë mbetet rekomandimi i vitit 2009, vullneti i forcave politike për të zbatuar me rigorozitet Kodin Zgjedhor dhe për t’u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm”- tha kryeministri. Kreu i qeverisë ftoi ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias të asistojë në këtë proces, në interesin më të mirë të një reforme, e cila duhet të përputhet tërësisht me standardet ndërkombëtare. “Mendoj se është në interesin e të gjitha forcave politike t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjes së ODIHR-it që thotë se duhet angazhuar pa humbur kohë në këtë proces dhe pa pritur që të afrohen zgjedhjet e vitit 2013. Ky institucion ka shprehur gatishmërinë që të bëjë një vizitë që në muajin shtator dhe unë deklaroj këtu se është shumë i mirëpritur, në mënyrë që të eksplorojmë të gjitha mundësitë e fillimit të menjëhershëm të punës, për të adresuar të gjitha rekomandimet e këtij institucioni të vitit 2009 dhe të vitit 2011, që Shqipëria të ketë një nga kuadrot ligjorë më të mirë për zgjedhje të lira e të ndershme, në rajon e më gjerë”- tha më tej kryeministri Berisha.
 
Zoti Kryeministër, a mund të nënkuptohen edhe ndryshimet kushtetuese në këtë raport?
Raporti nuk përmend në asnjë rresht dhe në asnjë vend probleme të Kushtetutës dhe ndryshimeve të saj. Kushtetuta e këtij vendi është thellësisht demokratike. Raporti ka një sugjerim kur thotë mund të konsiderohet ndryshimi i përbërjes së KQZ-së. Unë jam këtu për të deklaruar se pranoj pikë për pikë të gjitha rekomandimet si të vitit 2009, ashtu edhe të vitit 2011. Ftoj zotin Rama, Partinë Socialiste e partitë e tjera t’i përgjigjen me të njëjtën frymë, pasi një gjë është e sigurt, se këto rekomandime, absolutisht nuk kanë asnjë lloj anësimi partiak, por kanë si qëllim kryesor konsolidimin e standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend.

Zoti Kryeministër, në fakt dalja juaj ishte e shpejtë, ne nuk jemi njohur në mënyrë të detajuar me raportin e ODIHR-it, por gjithsesi për disa pika jemi të informuar. Dua t’i referohem vendimeve të KQZ-së pas 8 majit, në Tiranë, ku thuhet në raport se KQZ nuk ka ndjekur procedurat duke iu referuar Kodit Elektoral, përsa i përket numërimit të fletëve në kutitë e gabuara dhe se dy partitë e mëdha politike nuk i përmbushën detyrimet e tyre, në raport me procesin zgjedhor, çka nënkuptohet me sa kemi lexuar, me faktin për të implikuar në institucionet e pavarura?
Ju lutem lexojeni të plotë raportin për të dy partitë, se çfarë thotë ai në pikën e parë të rekomandimeve, pikërisht për këtë që ju thoni. U përgatit një aktmarrëveshje, thotë raporti, e cila u firmos nga të gjitha forcat politike, përveç Partisë Socialiste të Shqipërisë. Çfarë mund të bëja më shumë. Unë nuk them se Partia Demokratike ishte e përsosur në të gjitha aspektet, por në këtë çështje raporti e ka të shkruar të zezë mbi të bardhë. Së dyti, të jemi realistë, vendimi i KQZ-së për të përfshirë në rezultatet votat e hedhura në kutinë gabim nuk kishte një dokument të shkruar mbi këto vota, por as KQZ-ja, as gjykatat, as kurrkush nuk mund t’i përjashtojë këto vota. Ndaj një nga rekomandimet është që të amendohet Kodi dhe të përcaktohet rruga e numërimit, vlerësimit e administrimit të këtyre votave. Pra, nuk diskutohet validiteti i tyre. Në rastin konkret, po ta lexoni më tej raportin, ai thotë se dy kolegjet zgjedhore i dhanë të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vendimin e tij. Pra, raporti nuk thotë tamam ashtu siç thatë ju, ka shprehjen  se baza për ne është e paqartë, por kur vjen te çështja thotë se gjykata mbështet vendimin e KQZ-së, sikundër thotë se gjykata rrëzoi dy vendime të KQZ-së që kishin të bënin me median a diçka të kësaj natyre. Aty ku lindi diskutimi për vendimin e KQZ, përgjigjen përfundimtare e dha gjykata dhe ODIHR-i nuk thotë të bëhet ligj për të përjashtuar këto vota, por të bëhet ligj për të përfshirë këto vota, pra, është krejt e ndryshme. Këto vota nuk mund të përjashtohen. KQZ-ja është një instancë. Këtu dua të theksoj një moment. Më frekuent se kudo, fenomeni i votave të hedhura gabim mund të jetë në  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të votave me postë që kanë një destinacion në një kuti postare dhe përfundojnë në një kuti tjetër. Por në të gjitha rastet ato numërohen. Pavarësisht nga kjo praktikë dhjetëra vjeçare që ekziston në këtë vend për këtë çështje, askush nuk i ndalon dhe në mënyrën më të zakonshme kandidatët i drejtohen gjykatave dhe kërkojnë që këto vota të mos e ndryshojnë rezultatin, por e kërkojnë pa sukses. Ashtu si tha gjykatësi Marc Fisher:  “Nuk mund të përjashtoj këto vota, sepse për të drejtën e votës njerëzit kanë derdhur gjak e kanë sakrifikuar jetë”. Kjo ka mbetur si një sentencë historike midis etikës dhe të drejtës. Kjo është historia e tyre. Natyrisht, në qoftë se do të kishte patur një rregullore do të ishte më mirë, por në mungesë të rregullores prevalon parimi, i cili u respektua. Partia Socialiste pretendon se u shkelën rregullat e lojës, por cilët rregulla u shkelën kur nuk ka rregulla. Parimet predominojnë. Megjithatë nuk dua të hyj në specifika dhe të them se këto zgjedhje ishin të përsosura, por siç e thotë ky raport, këto ishin zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi. Dhe këto zgjedhje patën risi qartësisht pozitive. Për shembull, kam konstatuar se kritikat, dhe jua them realisht se për mua ka qenë të drejta, në vitin 2009 kishin të bënin me problemet e angazhimit të resurseve të administratës publike në zgjedhje, qoftë nga qeveria, qoftë nga kryetarët e bashkive në zgjedhjet e përgjithshme. Kjo është shumë e rëndë, sepse shkel rregullat, thellon pabarazinë midis subjekteve politike, ç’të garojë një parti që nuk është në pushtet qendror dhe lokal. Dhe ky problem u adresua për herë të parë në këto zgjedhje. Ashtu siç u tha se pati presion mbi punonjësit, mbi të dyja anët, dhe kjo nuk mohohet. Kryeministri qëndroi thotë raporti. Në dijeni time, ka pasur dy- tre raste, të paktën sa kam pasur informacion, si transferimi i një arsimtari, të cilin unë po e ndjek nëse ka qenë apo jo për këtë motiv dhe absolutisht, në çdo rast unë kam qëndruar në anën e punonjësit, por kanë ndërhyrjet kanë qenë më minimale se në çdo garë tjetër. Sërish do të ketë garë në të ardhmen dhe unë sërish do t’i bëj thirrje punonjësve të administratës të shkojnë në çdo miting që duan, të votojnë kë të duan, të bëjnë komisionerin e cilësdo forcë që duan dhe askush nuk do mund t’i intimidojë dhe t’u bëjë presione.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›