Ambasadori Wollfarth do raportojë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë

Raporti i OSBE-së për situatën politike, një muaj para publikimit të progres-raportit të Shqipërisë për vitin 2011
Misioni i vëzhguesve të ODIHR publikoi dje raportin përfundimtar lidhur me zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit. Krahas këtij raporti, muajin e ardhshëm prezenca e OSBE-së në vendin tonë, do publikojë një tjetër dokument, i cili do të përmbledhë në mënyrë më të detajuar situatën politike në vend dhe procesin zgjedhor. Në fillim të muajit shtator do të jetë ambasadori i OSBE në Tiranë Eugen Wollfarth i cili pritet të raportojë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë për zhvillimet politike në vendin tonë. Ndërsa ka marrë mandatin e tij si diplomat i OSBE-së një vit më parë ambasadori Wollfarth është bërë vazhdimisht pjesë e debateve politike duke ofruar edhe alternativë për zgjidhjen e ngërçit politik të dy viteve të fundit. Në raport parashikohet të përfshihet një material i detajuar për sa i përket procesit zgjedhor të 8 majit, dhe sidomos zgjatja e procesit deri në finalizimin e tij në kryeqytet. Për këtë çështje në vazhdimësi ambasadori Wollfarth ka apeluar për të filluar puna me përmirësimet në Kodin Zgjedhor dhe shmangien e paqartësive në të. Në raport parashikohet të përfshihet edhe bojkoti parlamentar i opozitës, që siç është cilësuar edhe raportin e një viti më parë nga ish-ambasadori Robert Bosch ka sjellë edhe mosmiratimin e disa nismave të rëndësishme ligjore. Në këtë pikë që do të shpaloset mendohet se raporti i vjeshtës së këtij viti do të përmbajë edhe qëndrimin e ambasadorit Ëollfarth i cili në vazhdimësi, bashkë me ambasadorin amerikan Arvizu dhe atë të BE-së Sequi kanë bërë thirrje për dialog politik mes palëve dhe për të miratuar ligjet e nevojshme, për të çuar përpara kështu axhendën e integrimit. Raporti parashikon të shpalosë edhe problematikën e hasur gjatë këtij viti në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, puna e të cilit është monitoruar nga ekspertë të OSBE-së.