Berisha: Jo zgjidhje politike duke përmbysur gjykatat
Ngërçi, Berisha: Dy opsionet e vetme të Ramës. Respektoj grevën, por jo hapjen e kutive
Kryeministri Sali Berisha e konsideroi dje grevën e urisë së deputetëve të PS-së si një mjet politik për të përmbysur vendimet e gjykatave. Pavarësisht respektimit prej tij të protestës dhe të grevës, Berisha bëri të qartë se nuk do të ketë zgjidhje politike me shkeljen e gjykatave. Në këtë mënyrë, Kryeministri Sali Berisha nuk ka lëvizur nga qëndrimi i mazhorancës që drejton, për zgjidhje kushtetuese të situatës politike. Gjatë një konference për shtyp, duke iu referuar grevës së urisë së deputetëve socialistë, Kryeministri tha se zgjidhja s'mund të jetë kurrsesi polike, duke dhunuar për pasojë pavarësinë e gjykatave. Z. Berisha kujtoi edhe një herë zgjidhjen ofruar nga KiE nëpërmjet Komitetit Presidencial e më pas, byrosë së Asamblesë Parlamentare, ku propozohet vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Kryeministri tha se qeveria që ai drejton, është e vendosur të respektojë lirinë që ka çdokush për të protestuar në rrugë paqësore. Këtu, Berisha foli dhe për angazhimin personal të tij në dy drejtime në raport me grevën e deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre, ndërsa Ramës i bëri të qartë se ka dy opsione zgjidhjeje, atë të respektimit të rekomandimeve të KE-së dhe pjesëmarrjen e tij në komisionin hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Zoti Rama ka dy opsione. Ka opsionin e rekomanduar zyrtarisht nga Këshilli i Evropës, i cili i sugjeron zotit Rama, pasi e kanë dëgjuar me shumë vëmendje, që ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në qoftë se ajo e gjykon të arsyeshme për të kërkuar mendimin e Komisionit të Venecias. Unë e kam mbështetur plotësisht këtë dhe qeveria e ka mbështetur. Ndryshe, zoti Rama ka opsionin tjetër, pjesëmarrjen në komisionin e ngritur, ku ekziston shumica votuese e tij. Shumicë votuese, se tjetër shumicë smund të them, - deklaroi z. Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se zoti Rama çdo dokument që do të disponojë për cen në procesin zgjedhor dhe që mund të kërkojë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, tia japë prokurorisë. Sipas Berishës, ky institucion ka tagrin ligjor dhe kushtetues për të hetuar çdo gjë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, ndaj të cilit nuk mund të ketë kufizime. Dhe, - siguroi Kryeministri, - si qeveri jam angazhuar të vë disponobël të gjithë procesin e nevojshëm për këtë proces.
Kodi Penal, Berisha: Ndalon bllokimet e rrugëve
Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti disa herë gatishmërinë e tij për zgjidhje që prodhohet nëpërmjet dialogut dhe respektimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese. Por, sipas tij, zgjidhja duhet të vijë përmes rrugës kushtetuese. Berisha tha se respektonte të drejtën e opozitës për të hyrë në grevë urie dhe se qeveria kishte obligim kushtetues për të garantuar lirinë e plotë për të gjitha format e protestave paqësore, ndërsa në rrafshin njerëzor detyrim mbetet kujdesi shëndetësor dhe siguria ndaj grevistëve. Por duhet të theksoj se zoti Rama ka ndërmarrë këtë veprim si një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatave dhe kjo është në kundërshtim të hapur në themel të një shoqërie të lirë. Vendimet e gjykatave në çdo vend të lirë dhe në interesin më jetik të çdo qytetari, edhe të atyre që protestojnë, mund të ndryshohen vetëm me gjykata, me asnjë mjet tjetër, - tha Berisha duke nënvizuar: "Nëse greva kishte të bënte me qeverinë, do ishte zgjidhur çdo gjë. Gjatë pyetjeve të gazetarëve kryetari i qeverisë i kujtoi Ramës se greva që ai po zhvillon, ishte e paligjshme, pasi po shkelte një nen të Kodit Penal që ndalon bllokimin e qarkullimit. Mendoj që Rama dalëngadalë të reflektojë. Duke i uruar shërim të shpejtë deputetes greviste Klodiana Spahiu, e cila gjatë natës u shtrua në spital për shkak të komplikacioneve në stomak, Berisha komentoi: "Historia e vetëflijimeve është histori e gjatë sa vetë njerëzimi dhe secili bën përzgjedhjen e tij, por po të kishte të bënte me qeverinë, jo me gjykatën, do ishte zgjidhur 100 herë, por ka të bëjë me gjyqësorin. Këto deklarata kreu i qeverisë i bëri gjatë përshëndetjes adresuar gazetarëve në Ditën Botërore të Mediave.