E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Brenda pak muajve shqiptarët do të lëvizin pa viza

Shqiptarët do të lëvizin të lirë brenda pak muajsh. Premtimi është bërë dje nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, gjatë forumit të Lëvizjes Rinore për Integrim. Meta tha se është bërë një punë e jashtëzakonshme për plotësimin e kushteve që ky proces kërkon. Kjo punë është bërë që shqiptarët jo vetëm të mos kërkojnë rrugë të mbrapshta për të ikur jashtë vendin si ato që u morën jetën mijëra personave në këto dy dekada nëpër dete apo duke ikur maleve dhe të mos rropaten më në ambasadat e huaja, sepse heqja e vizave për ne, në radhë të parë është çështje dinjiteti dhe lirie, - është shprehur Meta. Sipas tij, në këta 8 muaj, hapa shumë të rëndësishëm janë bërë drejt integrimit evropian të vendit, duke radhitur para të rinjve të LRI-së të gjitha mesazhet që janë dhënë nga autoritetet e larta evropiane gjatë këtyre 8 muajve të fundit për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian, si i tillë. Kjo tregon se ne jemi në rrugë të mbarë drejt integrimit, megjithëse nuk duhet të tregohemi euforikë dhe prandaj do ti ftoja të gjitha forcat politike në vend që të mos shpenzojnë energji negative, duke fajësuar njëri-tjetrin. Në një kohë kur është koha të bashkëpunojmë dhe të përshpejtojmë ritmet e integrimit evropian, - tha kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Meta theksoi se nuk beson se situata në vend është e shkëlqyer, por Shqipëria pavarësisht problemeve përbën një rast të shkëlqyer e që vlerësohet nga partnerët për ecurinë e reformave. Me kujdesin që tregohet për të ruajtur stabilitetin makroekonomik të vendit dhe marrëveshjet e nënshkruara apo në proces, do të garantohet një perspektivë për të gjithë shqiptarët. Nuk mund të kontribuohet në interes të qytetarëve duke u përpjekur për të nxirë në mënyrë të sforcuar situatën ekonomike apo duke goditur besueshmërinë e sistemit bankar në vend. Të gjithë të shohim përtej interesave politike të ditës dhe të shohim interesin kombëtar që është heqja e vizave dhe anëtarësimi në BE, - u shpreh Meta. Ai ftoi të rinjtë të jenë aktivë dhe të zgjerojnë radhët e tyre në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›