E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: KESH e Prifti efiçentë

 ADI SHKEMBIKryeministri Sali Berisha i heq përgjegjësitë KESH-it dhe Ministrisë së Ekonomisë për përmbytjet e ditëve të fundit në Shkodër. Në ditën e 10 të përmbytjeve në veri, kreu i qeverisë është takuar në Prefekturë me përfaqësues të qeverisë qendrore dhe vendore si dhe Komitetin e Emergjencave, shtabin e përgjithshëm të ushtrisë dhe forcat e rendit. Berisha tha në fjalën e tij se këto dy institucione kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. "Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e mbarë Shqipërisë se Korporata Energjetike e Shqipërisë, Ministria e Energjetikës, ka bërë një punë jashtëzakonisht eficente. Ato u përballën me situatën më të jashtëzakonshme me kompetencën më të madhe. Ata që mund të akuzojnë për digat po u them vetëm 2 fjalë; në qoftë i kthehemi fjalorit të vjetër, digat kësaj radhe kanë qenë "ora e Shkodrës", sepse vërshimet e Drinit, në mijëra metër kub të sekondë, të Gjadrit, të Kirit e të ujërave të tjera, do të mund të kishim pasur pasojat më të paparashikueshme në këtë mot të pa përsëritur në 100 vitet e fundit", u shpreh Berisha. Në këtë linjë kryeministri iu referua një burimi të huaj, sipas të cilit përmbytja si ajo e Shkodrës ndodh një herë në 100 vjet. "Shkodra përjetoi një gjendje të jashtëzakonshme, një përmbytje e cila nga qendrat botërore të vlerësimit të përmbytjeve vlerësohet e njëjtë me atë që pësoi Australia gjatë fillimit të janarit dhe, jo fort e largët, me atë që pësoi Brazili. Observatori i përmbytjeve, Dartmouth Flood, i cili bën një vlerësim hapësinor dhe me mjete të tjera shkallën e përmbytjeve, paraqet këtë përmbytje si ekstreme dhe si një ngjarje, si një mot, i cili ndodh më rrallë se 100 vjet", tha kryeministri. Kreu i ekzekutivit tha se nga dita e djeshme autoritetet shtetërore kanë bërë të mundur shmangien e katastrofës në radhët e banorëve, megjithëse deri tani janë mbi 10 mijë ha tokë e përmbytur. "Deri më sot ne ia dolëm të shmangim një katastrofë njerëzore, kur ishim në prag të saj. Sot vërtetë kemi 10 mijë ha të përmbytur, por nuk kemi asnjë një jetë njeriu të humbur. Kjo është meritë e jashtëzakonshme një operacioni shpëtimi më të fuqishëm më të suksesshëm që vendi ka njohur", u shpreh më tej kreu i qeverisë. Duke bërë një paraqitje të situatës deri tani mbi prurjet e lumenjve në Shkodër, Berisha theksoi se "nga data 25 dhjetor deri më sot, vetëm lumi Drin ka vërshuar me një mesatare prej 1280 metër kub në sekondë, në ditë. Nga data 27 deri sot janë derdhur vetëm nga lumi Drin, pa llogaritur derdhjet e  Kirit, Gjadrit, Moraçës, Përroit të Thatë, që të gjitha këto prekin direkt gjendjen ujore të Shkodrës, pra vetëm nga Lumi Drin janë derdhur, nga data 27 dhjetor e deri më sot, shkarkime të barabarta me 3 liqene të Vaut të Dejës". Në fund kryeministri siguroi edhe njëherë tjetër banorët e zonave të përmbytura se portat dhe tunelet e kaskadës së Drinit funksionojnë normalisht dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë rrezik tjetër. Berisha kritikoi indirekt opozitën se po përhap panik te qytetarët. "Ata të cilët përhapën panik pa qëllim, duhet të jenë të qetë, të sigurt se nuk ekziston as edhe një portë, nuk ekziston as edhe një tunel që nuk hapet dhe që nuk funksionon. Nuk ekziston asnjë rrezik as edhe minimal për asnjërën nga digat e kaskadës. Ata që e bënë me qëllim këtë, ata janë më të rrezikshëm se vet paniku. Pati edhe nga ata që shëtisnin si hije nga një ekran në tjetrin si mitoman profesionistë, për të thënë se rregullorja nuk është zbatuar kur rregullorja është zbatuar", përfundoi kreu i ekzekutivit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›