E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirrje biznesit të kontribuojë

 Solidarizim për të kontribuuar në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytja, ka qenë thirrja që Ministri i Energjetikës Dritan Prifti u ka drejtuar bizneseve në vend. "Ndodhemi në një situatë ku një komunitet është në kushtet e nevojave të mëdha, që shkojnë nga ato më elementaret e deri te strehimi", deklaroi ministri para një numri të madh biznesesh, pjesë e Dhomës së Tregtisë. Ai bëri të ditur se gjatë një takimi të zhvilluar dje në Shkodër me banorë, si dhe përfaqësues të Komitetit të Emergjencave, ishte njohur me detaje të situatës si dhe me disa kërkesa të  parashtruara. Në këtë drejtim, lidhur me nevojat më emergjente që shfaqen në zonat e përmbytura, ministri tha janë furnizimi me karburant dhe ushqime por edhe shumë drejtime të tjera. Sipas tij, edhe pse qeveria ka vendosur në dispozicion të kësaj zone rreth 2 mijë vetë, forca të policisë, ushtrisë, nëpunës civilë si dhe disa miliarda lekë, ajo ka nevojë për mbështetjen e biznesit. Ndërkohë edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, në takimin e djeshëm u shpreh se "të gjithë duhet të bashkohen në nismën për ndihmë, që përveç të tjerash ka së pari vlera humane". Duke ftuar të gjitha bizneset të solidarizohen për të mbështetur këtë komunitet, ai iu referua disa bizneseve që tashmë kanë derdhur kontributet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›