E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në Kuvend firmosëm Kushtetutën më moderne të historisë së Shqipërisë

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha ka deklaruar dje në mbledhjen e qeverisë, se miratimi i ndryshimeve kushtetetuse në Kuvendin e Shqipërisë, hodhi bazat e firmosjes së kushtetutës më moderne të të gjitha kohërave në dhe se me votimin për të, u arrit konsensusi më i gjërë politik i parë në këto 17 vitet e fundit. Kryeministri Berisha
vlerësoi, se votimi në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese zgjeroi dimensionin perëndimor të Republikës tonë parlamentare, pasi Shqipëria heq përfundimisht dorë nga Kushtetuta e ‘inateve’ dhe kalon në Kushtetutën perëndimore. Duke përshëndetur miratimin e paketës së ndryshimeve në Kushtetutë, Kryeministri Berisha e konsideroi këtë, si “reformën më të thellë realisht historike që Parlamenti shqiptar ka votuar me konsensusin më të gjerë në memorien e tij pluraliste”. “Për rreth 17 vjet institucionet e këtij vendi, të bazuara në ligjet demokratike drejtuan Shqipërinë në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut, por në këtë proces këto institucione njohën kriza të thella, deformime serioze të papajtueshme dhe të papranueshme”, deklaroi Kryeministri Berisha. Sipas tij, deputetët në Parlamentin e Shqipërisë në themel dhe në shtyllat kryesore të shtetit, firmosën për kushtetutën më moderne që ka njohur vendi, pasi kjo ishte reformë rrënjësore. Duke u ndalur konkretisht në risitë që sjellin këto ndryshime në Kushtetutën e vendit, kreu i qeverisë theksoi, se “tempulli i demokracisë, parlamenti i ardhshëm i Shqipërisë nuk del më nga një proces dhe një sistem, i cili nuk i jepte sovranit të gjithë përfaqësimin që ai meritonte, pasi tani çdo votë e tij pavarësisht nga ngjyrat, valorizohet në mandatin e përfaqësimit”. “Nëse ka një sistem zgjedhor më të shpërfytyruar, ishte sistemi i deritanishëm zgjedhor, ndërkohë që tani institucioni i zgjedhjeve kalon në një sistem modern, i cili aplikohet në më shumë se 4/5 e vendeve europiane në varinantin e tij proporcional”, tha Berisha. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha bëri të ditur, se “ky sistem i jep vendit një qeveri të plotë për të qeverisur dhe një opozitë të fuqishme për të kontrolluar qeverinë dhe për të ushtruar pushtetin e saj moral, si dhe e ndan Shqipërinë nga ajo njollë e zezë që quhet ‘Dushk’”. Gjithashtu, Kryeministri veçoi si një arritje të ndryshimeve kushtetuese edhe rënien e një institucioni të panevojshëm kushtetues, siç është KQZ-ja. “KQZ bie nga Kushtetuta dhe ecën gradualisht drejt asaj forme, që e kanë të gjitha vendet perëndimore. Ky nuk është hapi përfundimtar, por është një arritje pasi shumica dërrmuese e vendeve perëndimore, e kanë KQZ-në të përfshirë në Ministrinë e Brendshme. Kur të krijohet besimi te ministria e Brendshme edhe ne bashkarisht do të biem dakord, por aktualisht Kodi Zgjedhor do të përcaktojë ndërtimin e këtij institucioni”, tha ndër të tjera Berisha. Duke vijuar më tej, Berisha vlerësoi edhe ndryshimet e atyre neneve të Kushtetutës, që kishin të bënin me mocionin e besimit dhe mosbesimit ndaj Kryeministrit. Në këtë aspekt, tashmë ekzekutivi shqiptar merr tërësisht profilin e një ekzekutivi perëndimor. Ndërsa, duke u ndalur te neni që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Kryeministri u shpreh se “ndryshimi i këtij neni është një kontribut i jashtëzakonshëm dhe historik, pasi ligjvënësi shqiptar me votimin e tij, e nxorri jashtë krize institucionin e Presidencës, i cili është institucioni qendror i stabilitetit të vendit në Shqipëri”. Përsa i takon modalitetit të zgjedhjes së Presidentit me 50 përqind +1 të votave, kryeministri e vlerësoi këtë si tepër të nevojshme për të shmangur krizat dhe garantoi se nuk është prekur asnjë kompetencë, përkundrazi shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit, Presidenti i Republikës është vendosur në themelet më të sigurta, siç e kanë shumë vende europiane. “Nga viti ‘92 deri më sot institucionet e vendit kanë njohur transformimin më të thellë. Reformat do vazhdojnë dhe kjo është përgjigja më e shkëlqyer që ne i dhamë ftesës për anëtarësim në NATO. Ne do të vendosim gërmë për gërmë standardet perëndimore në këtë vend dhe ky vullnet që ekziston midis maxhorancës dhe opozitës, do ta bëjë Shqipërinë më demokratike, më të lirë, më perëndimore dhe rrugën e saj më të lehtë”, tha më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›